Një grua gjermane dhe ish-anëtare e grupit të vetëshpallur Shteti Islamik (IS) u dënua të hënën me 10 vjet burg nga një gjykatë e Mynihut pasi la një vajzë jazide të skllavëruar në Irak të vdiste nga etja, transmeton UBT News.
Ky ishte një nga gjykimet e para në botë që ndjek penalisht një krim lufte kundër jazidëve, pakicë kjo e persekutuar dhe skllavëruar nga xhihadistët në Irak dhe Siri.
Rreth 10,000 jazidë u vranë në Irakun verior në mizoritë masive. Rreth 7,000 gra dhe vajza, disa deri në nëntë vjeç, u skllavëruan dhe u transferuan me forcë në vende në Irak dhe Sirinë lindore.
Kush është gruaja e dënuar të hënën?
Jennifer Wenisch, 30 vjeç, e akuzuar për krime lufte dhe vrasje, mund të ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Sipas raporteve të mediave, Wenisch u konvertua në Islam në vitin 2013 dhe iu bashkua grupit të vetëshpallur Shteti Islamik në Irak vitin e ardhshëm.
Ajo u rekrutua në vitin 2015 nga policia morale e IS-it, duke patrulluar rrugët e Falluxhas dhe Mosulit për të siguruar respektimin e kodit të veshjes dhe sjelljes publike të grupit xhihadist.
Prokurorët gjermanë thonë se Wenisch dhe burri i saj i IS-së “blenë” një grua nga pakica jazide dhe fëmijën e saj 5-vjeçar si “skllevër” të shtëpisë në Mosul në 2015.
“Pasi vajza u sëmur dhe kishte lagur dyshekun e saj, burri i të akuzuares e lidhi me zinxhirë jashtë si ndëshkim dhe e la atë të vdiste nga etja në vapë përvëluese”, thanë prokurorët.
Burri në fjalë, bashkëshorti i Wenisch, Taha al-Jumailly, po përballet gjithashtu me një gjyq të veçantë në Frankfurt, përcjell UBT News.
Wenisch tha se kishte “frikë” se burri i saj do ta “mbyllte brenda” nëse ajo do të ndërhynte për të shpëtuar vajzën.
Nëna e vajzës, Nora T., vazhdoi të mbahej rob nga çifti pas vdekjes së vajzës së saj. Ajo dëshmoi në gjyq për torturat e bëra ndaj fëmijës së saj. Megjithëse mbrojtja vuri në dyshim dëshminë e saj duke thënë se nuk kishte asnjë provë që vajza, e cila u dërgua në spital pas incidentit, në të vërtetë ka ndërruar jetë.
Wenisch u arrestua nga shërbimet turke të sigurisë në janar të vitit 2016 në Ankara dhe më pas u ekstradua në Gjermani. Ajo nuk ishte vendosur në paraburgim deri në qershor të vitit 2018, kur u arrestua teksa po përpiqej të arrinte territoret që IS kontrollonte ende në Siri me vajzën e saj dyvjeçare.
Gjatë udhëtimit, ajo i tregoi shoferit për jetën e saj në Irak, që në fakt ishte një informator i FBI-së që e ngiste me një makinë të pajisur me mikrofona. Prokuroria përdori këto incizime për ta paditur atë./UBTNews/