UBT News

Numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi sugjeron se mësimet e vitit 1999 nuk janë nxjerrë

Nga Bethan McKernan

Mbi 17 mijë njerëz kanë vdekur si pasojë e një tërmeti në vitin 1999 në qytetin e Stambollit. Pas tragjedisë, autoritetet premtuan rregulla më të rrepta të ndërtimit dhe vendosën një “taksë tërmetesh” që synon të përmirësojë gatishmërinë në një vend që ndodhet në dy linja kryesore gjeologjike.

Megjithëse reagimi i ngadaltë i Ankarasë ndaj katastrofës luajti një rol të rëndësishëm që solli në pushtet Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Kjo parti e sapoformuar atëkohë fitoi zgjedhjet në vitin 2002 me një shumicë dërrmuese, duke premtuar transparencë dhe për të rindërtuar ekonominë e shkatërruar nga një rrëzim i tregut të aksioneve.

Thuajse afërsisht 24 vjet më vonë, pas tërmetit vdekjeprurës të së hënës dhe pasgoditjeve, njerëzit përreth Turqisë nuk po i kërkojnë vetëm më të dashurit e tyre, por edhe përgjigje.

Pas një tërmeti tjetër që ndodhi në vitin 2011, në të cilin vdiqën qindra njerëz, Erdogan, në atë kohë kryeministër, ia hodhi fajin nivelit të dobët të ndërtimeve për numrin e lartë të viktimave, duke thënë: “Bashkitë, ndërtuesit dhe mbikëqyrësit duhet ta kuptojnë që neglizhenca e tyre përbën vrasje”.

Tani me mijëra viktima vetëm në Turqi, shifër që po rritet dita-ditës, dhe me mbi 1 milion persona që kanë mbetur pa shtëpi, po bëhet më e qartë se korrupsioni endemik dhe zbatimi i dobët i kodeve të ndërtimit e kanë thelluar krizën.

Erdogan, tani president, e bëri ndërtimin motor të ekonomisë turke; mbështetja në kreditë e huaja të lira financoi autostrada të reja, spitale dhe kulla rezidenciale dhe tregtare në të gjithë vendin derisa lira turke ra në vitin 2018.

Në letra, standardet e ndërtimit në Turqi janë më të mirat në botë, dhe ato përditësohen me rregulla specifike për rajonet që janë më të rrezikshme ndaj tërmeteve. Betoni duhet të përforcohet me çelik dhe muret dhe shtyllat mbajtëse duhet të shpërndahen në mënyrë të tillë që të shmanget “ngatërrimi”, kur dyshemetë grumbullohen mbi njëra-tjetrën pasi të jenë rrëzuar vertikalisht. Por gjeologët turq dhe ndërkombëtarë, planifikuesit urbanë, arkitektët dhe specialistët e reagimit ndaj tërmeteve paralajmëruan për vite se edhe shumë struktura moderne në të gjithë vendin do të shndërrohen në rrënoja, sepse kodet e ndërtimit nuk janë ndjekur siç duhet.

Shkeljet e rregullave nuk u dënuan mjaftueshëm, por ekspertët thonë se problemi u shpërfill kryesisht sepse adresimi i tij do të ishte i shtrenjtë dhe jopopullor.

Në të njëjtën kohë, popullsia në shumë prej zonave më të goditura të Turqisë është rritur në dekadën e fundit për shkak të një fluksi miliona refugjatësh nga Siria fqinje që ikin nga lufta civile. Është e paqartë nga buxhetet e qeverisë se si është shpenzuar taksa për tërmetet – që vlerësohet të ketë mbledhur 3 miliardë dollarë (2.5 miliardë £) që nga fatkeqësia e vitit 1999.

Qeveria turke që nga vitet 1960 e praktikon të ashtuquajturën “amnisti ndërtimi”, që sipas saj, kompanive të ndërtimit dhe pronarëve të ndërtesave u është hequr certifikimi i mungesës së sigurisë për një tarifë, një politikë që besohet se ka gjeneruar miliarda lira. Amnistia e fundit ishte në vitin 2018 dhe vetëm pak ditë para se të ndodhnin tërmetet, në mediat turke u raportua se në parlamentin turk do të diskutohej për një tjetër amnisti.

Në dhjetë provincat e prekura nga tërmeti të Turqisë, deri në 75 mijë ndërtesave iu dhanë amnisti të tilla gjatë viteve, sipas Pelin Pinar Giritlioğlu, kreu i dhomave të sindikatës së inxhinierisë dhe arkitekturës në Stamboll.

Spitalet dhe ndërtesat e tjera publike, si dhe blloqet rezidenciale dhe tregtare, janë ndër 25 mijë strukturat e vlerësuara që u shkatërruan ose u dëmtuan.

“Zbatimi i duhur i kodeve të sigurisë do të kishte sjellë një pamje krejtësisht ndryshe tani”, tha Hakan Süleyman, një studiues në departamentin e inxhinierisë së tërmeteve në Universitetin Boğaziçi të Stambollit.

“Numri i viktimave do të ishte reduktuar shumë, pasi ndërtesat që janë projektuar për t’i bërë ballë tërmeteve kanë më pak gjasa të shemben. Dëmi në infrastrukturë do të ishte minimizuar, gjë që do të ndihmonte në përshpejtimin e procesit të rimëkëmbjes”, tha ai. “Në afat të gjatë, investimi në ndërtesa rezistente ndaj tërmeteve jo vetëm që shpëton jetë, por gjithashtu redukton koston e përgjithshme të rikuperimit dhe rindërtimit pas një fatkeqësie”.

Ministria e Drejtësisë ka premtuar se do të ndëshkojë këdo që është përgjegjës, duke njoftuar ngritjen e njësive të hetimit penal të tërmetit dhe prokurorët kanë nisur të mbledhin mostra ndërtesash për prova mbi materialet e përdorura gjatë ndërtimit.

Erdoğan u zotua se rindërtimi do të përfundojë brenda një viti, që duket në dukje e pamundur duke pasur parasysh shkallën e shkatërrimit në një zonë të gjerë. Por meqë zgjedhjet kombëtare janë planifikuar të mbahen në muajin maj, të cilat duken si një provë vendimtare pas 20 viteve të tij gjithnjë e më autoritare në pushtet, e ardhmja politike e presidentit varet nga mënyra se si ai i trajton pasojat./UBTNews/

Exit mobile version