UBT News

Numërohen rreth 99 përqind e fletëvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka numëruar rreth 99 përqind të fletëvotimeve nga 2 mijë e 336 vendvotime.

Në ueb faqen e KQZ-së janë transmetuar rezultatet, ku tregohet se kanë mbetur pa u procesuar vetëm edhe 46 vendvotime.

Sipas këtyre rezultateve, Vetëvendosje në krye me Albin Kurti që njëherit është edhe kandidati për kryeministër, po prin me 48, 17 përqind.

Pas saj është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,35 përqind. Kjo parti udhëhiqet nga Enver Hoxhaj që njëherit ishte edhe kandidati për kryeministër në këto zgjedhje të përkohshme parlamentare për të cilat u votua të dielën, pra më 14 shkurt.

Ndërsa partia e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës ( LDK). Deri më tani kjo parti e cila kishte kandidat për kryeministër Avdullah Hoti ka 13, 18 përqind. Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7,42 përqind dhe Nisma me 2,59 përqind.

Këto janë rezultatet preliminare e të cila nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Ndërsa mbrëmë, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti në konferencën për media tha se fitorja e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit do të mbahet gjatë në mend dhe se në kujtesë do të jenë edhe rreshtat e gjatë pranë shkollave dhe votimi masiv i mërgatës. Ai ndër tjera ka thënë se mandatin e ardhshëm qeverisës nuk do të hakmerret ndaj askujt, por që do të kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi kudo.

Ndërkohë në konferencë për media, doli edhe kandidati tjetër për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj. Hoxhaj deklaroi se partia të cilën ai drejton nuk do të jetë pjesë e qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithkëtë ai ka thënë se rezultati është i qartë për ta dhe se është pranuar i tillë, madje ka uruar për këtë rezultat Lëvizjen Vetëvendosje.

Rezultatet u pranuan edhe nga partia e tretë, LDK. Avdullah Hoti tha se pas vlerësimeve të marra për rezultatin preliminare, do të marrë përgjegjësi për humbjen e thellë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Ai falënderoi votuesit për besimin e dhënë, derisa theksoi se LDK do të jetë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës.

Exit mobile version