Krahasuar me ditët paraprake, numër shumë më i vogël i qytetarëve serbë po protestojnë sot në komunën e Zveçanit.
Në protestë është parë edhe ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq.
Dje, pas përfundimit të protestës në Zveçan, një numër i vogël i qytetarëve, prej të cilëve edhe nga komuna tjera, ka vazhduar të qëndrojë nëpër tenda, duke u shoqëruar mes vete, dëgjuar muzikë, etj.
Situata në komunat veriore është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët.