Amandamenti për ndërtimin e Akademisë Ushtarake në Aqarevë, ka ngjallur debat në Kuvendin e Kosovës.
Ky propozim i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk ka marrë përkrahjen e shumicës dhe për këtë deputetja Ganimete Musliu ka deklaruar se kjo dëshmon se kush po i mbron vlerat e luftës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se ky amandament nuk ka marrë përkrahjen e mjaftueshme për miratim.
“Me 12 vota për, me 54 vota kundër dhe me 5 abstenime, Kuvendi nuk e miratoi amendamentin 42”, ka thënë Konjufca.
Për këtë ka reaguar, deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu e cila tha se kryeministri do të duhej të kërkonte votat e LVV-së për miratimin e këtij amandamenti.
“Shpreh keqardhje për amendamentin i cili nuk kaloj dhe kishte të bëjë me ndërtimin e akademisë ushtarake të UÇK-së në Aqarevë. Kam pritur që në këtë seancë të paktën kryeministri do të reflektonte dhe do të kërkonte nga deputetët e LVV-së që ky projekt të kalonte sepse nuk ishte një shumë e madhe e cila do ta prishte strukturën e buxhetit të Kosovës. Por, megjithatë këtu shihet se kush vërtetë me vepër punon për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe kush është kundër tyre”, ka deklaruar Musliu.
Ajo u shpreh e bindur se as amandamentet tjera të propozuara nga ajo nuk do të miratohen, meqë këto nuk po gjejnë mbështetje nga shumica. Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ndërtimi i Akademisë Ushtarake në Aqarevë, ishte propozuar në vlerë prej 210 mijë euro.