Këngëtarja spanjolle Rosalía mund të përballet me një gjobë prej 600 mijë eurosh, pasi dyshohet se nuk ka kërkuar leje për të promovuar albumin e saj të ri në Madrid.
Ngjarja ndodhi të hënën mbrëma, kur artistja njoftoi drejtpërdrejt në TikTok se do të shkonte në sheshin qendror Callao për një “surprizë”.
Prezantimi lidhej me kopertinën e re të revistës LUX, e cila u shfaq në ekran gjigant në shesh, duke shkaktuar bllokim trafiku dhe një grumbullim njerëzish. Sipas mediave, 33-vjeçarja u detyrua të linte makinën e saj për shkak të rrëmujës së krijuar dhe vrapoi drejt një hoteli pranë, ku përshëndeti fansat e entuziazmuar nga një dritare në katin e sipërm.
Të martën, nënkryetarja e Bashkisë së Madridit, Inma Sanz, konfirmoi se autoritetet po hetonin nëse Rosalía kishte marrë lejet e nevojshme për zhvillimin e aktivitetit publik.
Ajo deklaroi: “Nuk duket se ka pasur një autorizim specifik dhe, nëse konfirmohet kjo, do të merren masat përkatëse.”
Ndërkohë, Borja Carabante, zëvendës nënkryetar i dytë dhe këshilltar për çështjet e transportit, shtoi:
“Nuk kemi dijeni për ndonjë kërkesë për leje të dorëzuar në departamentin e mobilitetit. Po verifikojmë në të gjitha zyrat, nëse rezulton se nuk është bërë kërkesë, nisin procedurat disiplinore, që mund të përfundojnë me gjobë për organizimin e një eventi publik pa autorizim.”
Më vonë gjatë ditës, policia e Madridit e përshkroi incidentin si një veprim “spontan”, duke theksuar se ishin detyruar të monitoronin rrjetet sociale për të kuptuar çfarë po ndodhte, për shkak të mungesës së çdo njoftimi zyrtar nga organizatorët. /A.Z/UBT News/
