Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e Financave Publike dhe Rritjes Ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. Në votim morën pjesë 85 deputetë, për ishin 73 vota, kundër ka qenë një votë dhe dhjetë deputetë abstenuan karshi kësaj marrëveshje ndërkombëtare.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për këtë marrëveshje e cila kap vlerën 40 milionë dollarë.
“Kap vlerën prej 40 milionë dollarë amerikan dhe është në formën e mbështetjes buxhetore të drejtpërdrejtë për buxhetin e shtetit, kjo marrëveshje vjen si vazhdimësi e marrëveshjes për politika zhvillimore që ka qenë me Bankën Botërore ka qenë në pako me atë marrëveshje që është ratifikuar në Kuvend…Programi me fondin e OPEC-ut ka për qëllim mbështetjen pra në formimin në transparencën fiskale dhe politikë bërjes si dhe përmirësimin e zhvillimit të mjedisit për zhvillimin e sektorit privat dhe inicimin e tranzicionit të gjelbër… Maturiteti është 20 vjet me grejs periudhë 5 vjet, pra nuk ka kthim kredisë për 5 vjetët e para, por vetëm pagesë të interesit”, tha ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja para votimit kërkoi prej pozitës dhe opozitë ta mbështesin këtë marrëveshje.
“Këto marrëveshje duhet të votohen me 2/3 të gjithë deputetëve iu kërkojmë të gjithë deputetëve pozitë e opozitë që e njëjta të miratohet”, tha Muja.
E deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka propozuar që kjo marrëveshje të rinegociohet me Fondin OPEC. Ai tha se nuk ka ndodhur asnjëherë që me marr kredi për të bërë reforma në inspektime.
“Për këtë marrëveshje nuk ka pas asnjë diskutim paraprak prandaj, po jap vlerësimin e grupit tonë parlamentar. Kjo marrëveshje është me Fondin OPEC për zhvillim ndërkombëtar që është fond i OPEC 40 milionë dollarë është kredi për të miratuar ligje nuk është kredi për investime për ndonjë rrugë, impiant apo investim kapital qysh zakonisht kemi marr zakonisht nga institucionet ndërkombëtare…. Për të mos e rrëzuar këtë ne u dakorudam në grup parlamentar që ta bëjmë një propozim që ta tërhiqni prapa këtë marrëveshje dhe ta rinegocioni me fondin OPEC dhe ta sillni marrëveshje për ndonjë projekt kapital që vlerësoni që është e rëndësishme, por me marr kredi për zhvillim ndërkombëtar me bë reforma në insepktime kjo nuk ka ndodh kurrë”, tha ai.
Edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh kjo marrëveshja eKredisë për Programin e Financave Publike dhe Rritjes Ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar duhet të lidhet me ndonjë projekt konkret.
“Konsiderojmë që kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme që të lidhet për ndonjë projekt kapitale,… Është mirë të na jepni një shpjegim pra nga ana juaj dhe ta kemi pak më qartë pozicionin e qeverisë karshi këtyre çështjeve që kemi ngritur si opozitë”, tha ai.
Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi më shumë sqarime nga ministri Murati për këtë marrëveshje.
“Ne si Aleancë për marrëveshje ndërkombëtare kemi pas qëndrime të sakta, e të qarta por një elaborim më i thuktë na nevojitet për të hyrë në votim”, theksoi ai.
Ndërsa, ministri Financave, Hekuran Murati ofroi sqarimet e tij të kërkuara nga opozita.
“Mbështetja buxhetore nënkupton se paratë shkojnë njësoj siç është struktura tek investimet kapitale që janë në nivel 820 milionë euro, sepse janë për përdorim të lirë. Për më tepër unë e kam sqaruar edhe në të kaluarën se kredit apo marrëveshje të tilla kemi nënshkruar me qëllim që të evitojnë huamarrjen apo përmbushjen e nevojave të financimit të shtetit në tregun e letrave me vlerë në tregun vendor, për shkak se në të kaluarën çka ka ndodhur huamarrja apo nevoja e financimit është përmbushur duke marr mjete nga sektori financiar në Republikën e Kosovës kryesisht sektori bankar gjë që ka ndikuar në shterrje të likuiditetit… Ne po marrim para shtesë nga institucionet ndërkombëtare që shërbejnë si infuzion për ekonominë e vendit pra rritet niveli i sasisë të parasë që është në qarkullim në treg përmes këtyre marrëveshje ky ka qenë qëllimi”, tha ai.