Nuk pritet të jetë një takim tejet miqësor kur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të përballen sot me njëri-tjetrin.
Takimi i tyre i fundit u zhvillua dhjetë vjet më parë, kur Biden ishte nënpresident dhe Putin kryeministër.
Atëbotë, dy palët u shfaqën optimiste për përmirësimin e lidhjeve.
“Lajm shumë i mirë është se presidenti [amerikan, Barack Obama] dhe unë pajtohemi 100 për qind për nevojën që të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë”, tha Biden një dekadë më parë.
Putin u përgjigj, duke thënë se “do të ishte një hap historik” nëse Rusia dhe SHBA-ja vendosin regjimin e lëvizjes pa viza.
Atmosfera përpara samitit të sotëm në Gjenevë të Zvicrës është krejtësisht ndryshe.
Kremlini nuk pret marrëveshje në samitin Putin-Biden
Në vend të lidhjeve më të ngrohta, dy palët drejtojnë gishtin kah njëra-tjetra.
“Ne nuk i bëmë hapat e parë – mendoj për hapat që bënë që marrëdhëniet tona të përkeqësohen. Ne nuk jemi ata që vendosëm sanksione kundër nesh. Ishin Shtetet e Bashkuara që e bënë këtë dhe vazhdojnë ta bëjnë në çdo rast, madje edhe pa arsye, vetëm sepse vendi ynë ekziston”, tha Putin ditë më parë.
“Ia kam bërë të qartë presidentit Putin, në një mënyrë shumë të ndryshme nga paraardhësi im, se ditët kur Shtetet e Bashkuara kanë qenë toleruese përballë veprimeve agresive të Rusisë, si ndërhyrja në zgjedhjet tona, sulmet kibernetike, helmimi i qytetarëve të saj, kanë mbaruar. Ne nuk do të hezitojmë të rrisim koston ndaj Rusisë dhe t’i mbrojmë interesat tona jetësore dhe popullin tonë”, tha Biden.
Mosbesimi i ndërsjellë u rrit qëkur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.
Muaj më parë, rritja e pranisë ushtarake ruse pranë kufijve me Ukrainën tërhoqi kritika të reja nga Uashingtoni.
Biden: Do t’i them Putinit se nuk lejojmë shkeljen e të drejtave të njeriut
Biden tha se dëshiron të bëjë presion mbi Moskën për të ndaluar kërcënimet ndaj sovranitetit të Ukrainës dhe për të ndaluar shkeljet e të drejtave të njeriut, që kanë në shënjestër kundërshtarët politikë të Kremlinit.
Në prill, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj Rusisë për ndërhyrjet e pretenduara në zgjedhjet në SHBA dhe për sulme kibernetike në mesin e çështjeve të tjera.
“Unë kam miratuar disa hapa, përfshirë dëbimin e disa zyrtarëve rusë, si pasojë e veprimeve të tyre”, tha atëbotë Biden.
Rusia u hakmor po ashtu me sanksione dhe dëbime diplomatike.
Putin tha se veprimet e Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë kanë për qëllim të kufizojnë zhvillimin rus.
Presidentët shkëmbyen edhe akuza personale kundër njëri-tjetrit.
Në një rast, Biden u pajtua kur një gazetar e pyeti nëse Putin është vrasës. Putin u përgjigj:
“Më kujtohet nga fëmijëria, kur debatonim në oborr e thoshim: ‘Duhet të jesh i tillë pa ta njohur tjetrin’”.
Zyrtarët tani thonë se ka pak pritje që samiti të prodhojë ndonjë marrëveshje midis Bidenit dhe Putinit.
“Nuk kemi asnjë iluzion. Nuk përpiqemi të japim përshtypjen se do të ketë përparim ose vendime të rëndësishme historike”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Megjithatë, samiti paraqet mundësi për të dyja palët.
Në udhëtimin e tij të parë jashtë SHBA-së si president, Biden do që të shënojë fillimin e një epoke të re në politikën e jashtme amerikane.
Takimi i tij me Putinin pason takimet me udhëheqësit e grupit të vendeve më të industrializuara G7 dhe me udhëheqësit e NATO-s, të cilat i ofruan mundësinë për t’i riafirmuar këto aleanca dhe për të paraqitur një front të bashkuar ndaj rivalëve globalë – përfshirë Rusinë.
Në fillim të udhëtimit të tij jashtë SHBA-së, Biden tha se me Putinin do të bisedojë për fushat ku mund të ketë bashkëpunim, si dhe për dallimet që i ndajnë dy vendet.
“Do të udhëtoj në Gjenevë për të biseduar me një burrë, të cilin e kam takuar kohë më parë – presidentin Vladimir Putin. Ne nuk po kërkojmë konflikt me Rusinë; ne duam marrëdhënie të qëndrueshme të parashikueshme. Dy vendet tona ndajnë përgjegjësi të jashtëzakonshme”, tha Biden më 9 qershor.
Kremlini tha se çështjet globale, të tilla si siguria strategjike dhe lufta kundër pandemisë COVID-19, do të jenë në agjendë të bisedimeve.