Restoranti luksoz i kuzhinierit të famshëm turk, Nusret Gökçe, i njohur botërisht si Salt Bae, ka regjistruar një humbje prej 5.5 milionë funtesh (rreth 6.38 milionë euro) gjatë vitit 2024, pavarësisht popullaritetit të tij dhe vizitave nga yje të njohur si Cristiano Ronaldo dhe David Beckham.
Ndërsa restoranti kryesor i tij në Londër ka sjellë të ardhura mbi 10 milionë funte, humbja e madhe u shkaktua kryesisht nga rivlerësimi i aseteve të kompanisë në SHBA duke çuar në një zhvlerësim prej rreth 6 milionë funtesh.
Dega amerikane, e cila është në pronësi të plotë të kompanisë britanike të Salt Bae, ndikoi direkt në bilancin financiar të grupit.
Në kulmin e zgjerimit, rrjeti Nusr-Et kishte shtatë restorante në Shtetet e Bashkuara, por shumë prej tyre janë mbyllur tashmë, përfshirë lokalet në Beverly Hills, Las Vegas dhe New York.
Në Amerikë mbeten vetëm dy restorante, ndërsa kompania po përqendrohet në tregje tjera ndërkombëtare, si Mexico City dhe Ibiza.
Pavarësisht humbjeve, Nusret Gökçe vazhdon të ketë një pasuri personale të konsiderueshme prej rreth 50 milionë euro, ndërsa restoranti vazhdon të ofrojë menu luksoze, përfshirë biftekun “Giant Tomahawk” me çmim 630 funte dhe mishin Wagyu me 1.15 euro për gram.
Megjithatë, ndërsa imazhi i restorantit është luksoz dhe tërheq klientelë VIP, përvoja reale e vizitorëve duket se mbetet nën pritshmëri: Salt Bae vlerësohet me vetëm 2.9 nga 5 yje në TripAdvisor, duke treguar një hendek mes famës dhe shërbimit real. /A.Z/UBT News/