Katy Perry dhe ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau e kanë bërë zyrtare lidhjen e tyre, pasi këngëtarja publikoi në Instagram disa foto ku shfaqen të dy të buzëqeshur krah për krah, si dhe një video teksa hanë sushi në Japoni.
Postimi, i publikuar të shtunën, duket se i vuri pikën muajve të thashethemeve rreth romancës mes tyre.
Në një nga fotot ata duken duke mbajtur duart, një gjest që u interpretua menjëherë si konfirmim publik i marrëdhënies.
Perry shoqëroi postimin me mbishkrimin “tokyo times on tour and more”, së bashku me emoji lulesh dhe një zemër të kuqe.
Dy ditë më parë, Trudeau kishte ndarë në X një foto me Perry-n dhe ish-kryeministrin japonez Fumio Kishida, si edhe bashkëshorten e tij.
“Ishte kënaqësi t’ju takonim. Katy dhe unë u gëzuam shumë që patëm mundësi të kalonim kohë me ju,” shkruante Trudeau.
Për muaj të tërë, Perry dhe Trudeau janë parë shpesh së bashku. Në korrik u fotografuan në një darkë në Montreal, ndërsa pak ditë më vonë Trudeau u pa duke kënduar “Firework” në koncertin e saj.
Në tetor, ata u shfaqën sërish dorë për dore në Paris, gjatë festimeve për ditëlindjen e 41-të të artistes.
Justin Trudeau ka shërbyer si kryeministër i Kanadasë nga viti 2015 deri në vitin 2025, ndërsa Katy Perry mbetet një nga yjet më të mëdha të pop-it, me shtatë albume dhe hite të njohura si “California Gurls”, “Hot n Cold” dhe “Roar”. /A.Z/UBT News/
