UBT News

Nuk formohet komisioni hetimor, opozita lëshon sallën

Ka dështuar mocioni procedural i opozitës për formimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike.

Vetëm 33 deputetë kanë votuar pro mocionit për futjen në rend të ditës të formimit të këtij komisioni të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Opozita e ka quajtur mohim të së drejtës kushtetuese, ku më pas e ka lëshuar sallën.

Nga 108 deputetë të pranishëm, 72 vota janë nevojitur që mocioni të kalojë dhe të bëhet pjesë e rendit të ditës së seancës së sotme.

“108 deputetë janë të pranishëm, mocioni duhet të marrë 72 vota për të kaluar… Për këtë mocion kanë votuar vetëm 33 deputetë, kështu që kjo mbetet pjesë e seancës së ardhshme”, ka njoftuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Partitë opozitare kanë lëshuar seancën e Kuvendit për shkak se Lëvizja Vetëvendosje nuk votoi që formimi i komisionit të bëhet pjesë e rendit të ditës. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se opozitës i është mohuar e drejta kushtetuese.

“Meqenëse opozitës iu mohua një e drejtë kushtetuese që është mbikëqyrja parlamentare e punës së institucioneve, grupi parlamentar i LDK-së deri në formimin e komisionit hetimor parlamentar nuk do të marrë pjesë në asnjë votim. Ne e lëshojmë seancën”, ka thënë Gashi.

Më pas, edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka lëshuar sallën, ku Abelard Tahiri deklaroi se nuk do të votojnë e as nuk do të marrin pjesë më tutje në seancë.

“Në këtë legjislaturë ishte hera e parë që propozohet themelimi i një komisioni hetimor parlamentar, hedhja dritë e çfarëdo keqpërdorimi nuk besoj që do të duhej t’i pengojë askujt. Sot mendoj që u bë një veprim jashtëzakonisht i dëmshëm nga mazhoranca, të dëmtojë frymën tonë parlamentare… Si grup parlamentar i PDK-së, siç e thash më herët, nuk do të marrim pjesë në votime të mëtutjeshme, nuk do të marrim pjesë as në seancë më tutje sepse nuk ka kurrfarë kuptimi, përderisa ju abuzoni me një të drejtë tonën parlamentare, nuk ka kurrfarë kuptimi qëndrimi ynë në këtë seancë”, ka thënë Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se pa kurrfarë nevoje është bllokuar ky mocion.

“Ne jemi të detyruar ta lëshojmë sallën. Jemi të detyruar që të mos marrim pjesë në votim, jemi të detyruar që të bojkotojmë një proces, i cili realisht nuk është asgjë tjetër, është një komision hetimor, një e drejtë legjitime, kushtetuese e kërkuar nga iniciuesi dhe e bllokuar pa kurrfarë nevoje”, ka deklaruar Tahiri.

Exit mobile version