Të gjithë e dimë tashmë: pirja e mjaftueshme e ujit është një hap bazë (dhe i pazëvendësueshëm) për një lëkurë të hidratuar dhe të shëndetshme.
Por, sipas një studimi të publikuar në American Journal of Clinical Nutrition, ekziston një pije tjetër, që shumica e kemi në frigorifer dhe që hidraton edhe më mirë se uji: qumështi!
Dermatologia Dr. Hannah Kopelman, shpjegon se qumështi është efektiv si burim hidratimi falë përbërjes ushqyese. Ai përmban elektrolite si kaliumi dhe natriumi, karbohidrate dhe proteina, që ndihmojnë trupin të mbajë më gjatë lëngjet.
Kjo do të thotë se lëngjet nuk largohen menjëherë nga stomaku, duke i dhënë trupit kohë të gjatë për t’i përthithur, më mirë sesa me ujin e zakonshëm.
I pasur me vitamina si B12 dhe riboflavinë, dhe me aminoacide që ndihmojnë në riparimin e qelizave të lëkurës. Sipas Dr. Kopelman, është kaq efektiv, sa në disa raste mund të hidratojë më mirë edhe se pijet izotonike sportive. Legjendat për banjot e Kleopatrës me qumësht fillojnë të kenë më shumë kuptim tani.
A është pirja e qumështit sekreti për një lëkurë që shkëlqen?
Konsumimi i rregullt ndihmon në hidratimin e përmirësimin e shkëlqimit natyral të lëkurës, Dr. Kopelman thekson se nuk është zgjidhje magjike universale.
“Si dermatologe, ua kujtoj gjithmonë pacientëve se hidratimi i brendshëm ka ndikim te lëkura, por është vetëm një pjesë e mozaikut,” thotë ajo.
Nëse je mes atyre që kanë ndjeshmëri ndaj produkteve të bulmetit, vuajnë nga puçrrat hormonale a probleme tjera inflamatore të lëkurës, qumështi mund të jetë më shumë problem sesa zgjidhje. Por për pjesën tjetër, pirja e qumështit është bonus i mirë në rutinën e kujdesit për veten, jo zëvendësim për të.
Pra, rritja e konsumit të qumështit mund të të japë më shumë shkëlqim, por do të të duhet rutinë minimale me produkte për kujdesin e lëkurës për të parë ndryshimin e vërtetë. Nëse je vegane ose thjesht nuk pi produkte shtazore, mos u shqetëso, qumështi bimor si ai i tërshërës ose sojës, është i pasuruar me vitamina dhe minerale të ngjashme.