Në gjykimin ku Nafije Rrafshi dhe bija e saj, Behare Nura po akuzohen për vrasjen e tanimë të ndjerit Sefer Berisha në vitin 2018 në Malishevë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Emrush Kastrati kërkoi që të rihapet shqyrtimi gjyqësor, pasi tha se ka arsye për të akuzuar edhe persona të tjerë.
Në seancën e së enjtes, në fjalën e tij përfundimtare, ai tha se prokuroria ka dështuar në hetimin e plotë të kësaj vrasjeje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas avokatit Kastrati, për këtë vrasje duhet të akuzohet edhe personi i tretë që ka qenë bashkë me të akuzuarat ditën kritike, si dhe e se Granit Alushani është dashur të akuzohet për ndihmë në kryerjen e vrasjes. Kastrati tha se sipas të akuzuarës Nafije Rrafshi, i lartpërmenduri e ka dërguar atë që ta blejë armën.
Këto pretendime të avokatit Kastrati i ka kundërshtuar e akuzuara Rrafshi, e cila tha se këtë vrasje e ka kryer e vetme ajo.
“Në këtë rast nuk është i përfshimë asnjë person dhe nuk e ka bo këtë vepër asnjë person tjetër përpos meje. Janë arrestu persona të pafajshëm, së pari djali jem Fatoni i cili nuk ka qenë në Kosovë, pastaj vajza Behare Nura e ish-dhëndri im. Nuk e kam bo në mënyrë dinake unë këtë vrasje por ashiqare, pasi që kam qenë e kërcënuar me vrasje nga i ndjeri.”, tha e akuzuara Rrafshi.
Ajo tutje shtoi se këtë vrasje nuk e ka e ka bërë as me dashje, as me vetëdije, e as me paramendim.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Rrafshi, avokati Nexhmedin Gashi tha se nuk ka ekzistuar dashja për t’u kryer kjo vrasje dhe se e akuzuara e ka zmbrapsur sulmin e atëçastshëm.
E mbrojtësi i të akuzuarës Nura, avokati Prenk Pepaj kërkoi nga gjykata që e mbrojtura e tij të lirohet nga aktakuza në mungesë të provave.
Ai tha se prokurori aktakuzën ku e akuzon Behare Nurën dhe Nafije Rrafshin për vrasjen në bashkëkryerje e ka bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore.
“Prokuroria nuk i ka përshkruar veprimet e secilës veç e veç e që është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, meqenëse çdo veprim i bashkëkryerjes duhet të përshkruhet në mënyrë që të plotësohen elementet e figurës së veprës penale në bashkëkryerje”, tha avokati Pepaj.
E akuzuara Behare Nura tha se padrejtësisht është duke u mbajtur tash e 18 muaj në paraburgim dhe se ajo nuk e di se si ka ndodhur vrasja pasi që ka qenë në veturë.
Kurse, prokurori Ali Uka, i cili fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, tha se është vërtetuar pa mëdyshje nga provat e administruara se dy të akuzuarat i kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.
Ai i propozoi gjykatës që të njëjtat t’i shpallë fajtore dhe t’i dënojë sipas ligjit, duke kërkuar që edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Granit Alushani të shpallet fajtor për armëmbajtje pa leje.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika seancën për shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të mbahet më 13 korrik 2021, në ora 14:30.
Fillimisht lidhur me këtë vrasje akuzohej vetëm Nafije Rrafshi, mirëpo prokurori Ali Uka, kishte kërkuar që gjykimi të ndërpritet pasi që kishte marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve dhe ndaj dy të pandehurve tjerë, me dyshimin e bazuar se në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshin e kanë kryer veprën penale të vrasjes.
Këto hetime kanë rezultuar me ngritjen e një aktakuze edhe ndaj Behare Nurës, me dyshimin se e njëjta së bashku me Nafije Rrafshin kanë kryer veprën penale të vrasjes, ndërsa i akuzuari Granit Alushani po ngarkohet vetëm me veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Behare Nura po akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 9:30, në rrugën “Habib Zogaj” në fshatin Lladrovc të Malishevës, me dashje në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshi, për motive të panjohura kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Sefer Berisha, i moshës 57 vjeç.
Tutje sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi dalin nga automjeti i tyre dhe i afrohen automjetit të tani të ndjerit i cili kishte dalë nga rruga dhe ishte ndalur në një breg në afërsi të pyllit, nga një largësi për momentin të panjohur njëra prej të akuzuarave me revolen e tipit TT kalibër 7.62mm ka shtënë nga jashtë automjetit në drejtim të ulëses ku ishte i ulur i ndjeri, ashtu që me njërën prej të shtënave e qëllon atë në anën e majtë të qafës ndërsa me të shtënën tjetër në kokë mbi veshin e djathtë.
Për këtë, ato po akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje” nga neni 178 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
E akuzuara Nura po ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, përkatësisht për mbajtjen pa autorizim të armës të tipit TT kalibër 7.62mm së bashku me 19 fishekë të cilën armë e ka përdorur si në dispozitivin e përshkruar më lartë.
Për armëmbajtjen pa leje të armës dhe fishekë të përshkruar më lartë po ngarkohet edhe Granit Alushani, në atë mënyrë që atë armë të akuzuarit Granit ia jep bashkëshortja e tij Adelina ashtu që më parë atë armë e akuzuara Nafije ia kishte dhënë dëshmitares, përkatësisht vajzës së saj Adelinës për t’ia ruajtur.