Dogana e Kosovës ka konfiskuar 25 për qind të mjeteve monetare të padeklaruara, të zbuluara gjatë një kontrolli rutinor në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore në hyrje të Republikës së Kosovës, pasi drejtuesi i tij kishte hyrë në pikën kufitare me shpejtësi të lartë, duke ngjallur dyshime.
Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi kishte deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare që i nënshtroheshin deklarimit. Megjithatë, pas një kontrolli të detajuar, zyrtarët doganorë kanë gjetur mjete monetare që tejkalonin kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh dhe nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, Dogana ka ndërmarrë masat ligjore, duke konfiskuar 25 për qind të shumës së padeklaruar, ndërsa për pjesën tjetër është kërkuar dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të mjeteve.
Sipas Doganës, rasti është proceduar sipas kompetencave ligjore dhe procedurat do të vazhdojnë deri në përfundimin e shqyrtimit administrativ dhe ligjor.
Dogana e Kosovës rikujton se çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10 mijë euro ose më shumë, në para të gatshme ose mjete të tjera monetare të bartshme, është i obliguar t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore. Mosdeklarimi përbën shkelje të ligjit dhe mund të sjellë konfiskim të pjesshëm të mjeteve, si dhe procedura të mëtejshme për verifikimin e origjinës së tyre./A.K/
