UBT News

Nothing pranon gabimin: Fotot në demo të Phone 3 nuk ishin të realizuara me telefonin

Kompania teknologjike Nothing është përballur me kritika pas zbulimit se disa nga imazhet e paraqitura në njësitë demo të telefonit të saj të ri, Phone 3, nuk ishin realizuar me kamerën e pajisjes, por ishin blerë nga një shërbim profesional imazhesh.

Bëhet fjalë për pesë fotografi që shfaqeshin në softuerin demonstrues të pajisjes, duke përfshirë një portret, një shkallë spirale dhe një detaj të një makine. Sipas raportimeve, këto imazhe ishin blerë nga platforma Stills dhe ishin realizuar në vitin 2023 me kamera profesionale. Njëri nga fotografët, Roman Foks, konfirmoi se fotografia e tij ishte kapur me kamerën Fujifilm XH2s.

Bashkëthemeluesi i Nothing, Akis Evangelidis, reagoi në rrjetin social X duke kërkuar falje publike dhe duke e quajtur incidentin një “neglizhencë e trishtueshme”. Ai sqaroi se fotografitë ishin menduar vetëm si përmbajtje e përkohshme (“placeholder”), në pritje të imazheve të realizuara me pajisjen përfundimtare, por kishin mbetur gabimisht në disa njësi demo.

Megjithëse kompania deklaron se nuk kishte qëllim të keq, ekspertë të industrisë paralajmërojnë se raste të tilla mund të ndikojnë negativisht në besimin e konsumatorëve, sidomos në një treg ku paraqitja reale e performancës së kamerës është thelbësore për blerësit.

Nothing lançoi Phone 3 muajin e kaluar. Pajisja vjen me procesorin Snapdragon 8s Gen 4, ekran AMOLED 6.67 inç dhe sistem kamerash me tri lente 50MP (kryesore, periskop dhe ultra-wide), si dhe një kamerë të përparme 50MP.

Exit mobile version