Norvegjia ka njoftuar rregullore të reja sa i përket përdorimit të fotoshopit nga influencuesit. Ligji i ri kërkon nga inflencuesit dhe reklamuesit të qartësojnë nëse për imazhet është përdorur photoshopi apo nëse kanë filtra.
Ligji i ri vjen pas shumë kohësh që grupet e të rinjve dhe Ministria Norvegjeze e Fëmijëve dhe Çështjeve të Familjes kanë kërkuar masa më të rrepta sa u përket shqetësimeve në rritje rreth imazhit të trupit dhe shëndetit mendor. Në vlerësimin e situatës aktuale, departamenti shprehu
shqetësime në lidhje me një kulturë që po krijonte “pasiguri sociale” duke kontribuar në vetëvlerësim të ulët.
Ligji që do të prezantohet së shpejti do të kërkojë që reklamat dhe postimet e sponsorizuara ku “forma, madhësia ose lëkura e një trupi është ndryshuar nga photoshopi ose manipulime të tjera” të deklarohen në mënyrë të qartë se janë redaktuar. Mosrespektimi do të gjobitet.
Hulumtimi paraprak i paraqitur nga Ministria e Fëmijëve dhe Çështjeve të Familjes pretendoi se më shumë se gjysma e vajzave të klasës së 10-të në Shkollën e Oslos po luftonin me shëndetin mendor dhe se anoreksia ishte shkaku i tretë më i zakonshëm i vdekjes te vajzat e reja.
“Të rinjtë janë të ekspozuar ndaj një presioni masiv për t’u dukur mirë, përveç të tjerash, përmes reklamave dhe mediave sociale, edhe modelet që shfaqen shpesh retushohen dixhitalisht. Kjo i ekspozon të rinjtë ndaj një ideali bukurie që është e pamundur të arrihet”, tha departamenti në propozimin e tij.