Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, në takimin me intelektualët, ka folur për shpalljen non grata nga ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar duke i sfiduar që nëse del një fakt i vetëm për të cilat akuzohet ai do t’i thotë lamtumirë politikës.
“Më 20 maj të 2021, unë në një sallë në këtë hotel kam dalë, s’kisha menduar kurrë se do të sfidoja ndonjëherë sekretarin e SHBA, kurrë, por meqenëse ai kishte firmosur një akt në të cilën unë kisha bindjen absolute se nuk qëndronte asnjë fakt, dola dhe i thashë paraqit çdo fakt, përndryshe do të shkoj në gjykatë. Do shkoj në gjykatë se nuk ke, nuk mund të gjesh dhe s’do të gjesh kurrë asnjë fakt për mua dhe as për fëmijët e mi”.
“Unë kam qenë i këtij kodi dhe sot pas 15 muajsh më gjithë check up-in universal, se kam edhe unë miqtë e mi, kanë gjetur zero. Megjithatë unë vazhdoj të them, një fakt të vetëm po sollët unë i them mirupafshim politikës dhe çdo vendim tjetër. Por, të pranoj një të pavërtetë për të vërtetë, kurrë. E ka thënë Galileo dhe s’mund ta bëjë njeriu i qytetëruar kurrë”, tha ai, shkruan A2 CNN.
Kreu i Partisë Demokratike beson se vendimi për shpalljen non grata të tij nga Mbretëria e Bashkuar është servirur nga Tirana, ndërsa thotë se gjithë jetën e tij ka bërë betejë me krimin e kriminelët.
“Të vjen turp ta tregosh. Nuk e kam lexuar askund në romane. Kam patur vetëm një rast në jetën time, i ngjashëm. Merret një qytetar i një shteti tjetër, ka rastisur të jetë qytetar i Mbretërisë së Bashkuar, i padënuar, i pandëshkuar kurrë në jetën e tij në atë vend. Shpallet fajtor dhe ai faj përdoret për të më sanksionuar mua. Nuk ka gjë më korruptive mbi tokë. Këtë ju garantoj që s’mund ta bëjnë ministrat e Mbretërisë së Bashkuar kurrë. Ky është një mashtrim korruptiv. Thoshte dikush e kanë hallin te Ballkani i Hapur, se është anti-serb etj. Jo, nuk ka ministër në qeverinë britanike që mund të përdorë shtetasin e tij të pafajshëm, ta fajësojë atë për t’i ngjitur fajin një tjetri”.
“A ka njeri të qytetëruar mbi tokë që mund ta pranojë këtë? Kurrë. Ndaj dhe unë nuk i jap as tone nacionaliste, asgjë, mbaj raportin me të vërtetën. Nuk kam lexuar ndonjë rast të tillë. Asnjë shembull nuk jep, të tjerat janë deklaratat e Taulant Ballës. Shembull konkret thotë e ke pasuruar dhe e ke mbrojtur. Ai s’ka marrë asnjë qindarkë. Është hetuar nga Ina Rama dhe ka dalë i pafajshëm. Nuk gjendet në Londër kjo, gjendet në Tiranë. Londra është një elitë në tërësi e nivelit shumë të lartë, u serviret që këtej. Unë vazhdoj i paimpresionuar, duke theksuar se cilado qeveri e globit të paraqesë një fakt, një provë të vetme për atë çka flet. Të thuash unë lidhje me krimin? Unë që gjithë jetën time kam bërë betejë nga më të mërzitshmet se nuk më shkon të kap emra Shullazi këta e këta, por e bëja për t’i trysnuar, sepse ata trysnonin njerëzit. Ky problem nuk më pengon”, tha Berisha./A2