Feride Rushiti, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka deklaruar se dhuna seksuale gjatë luftës nuk ka pasur hapësirë në diskursin shoqëror dhe nga parlamentarët në periudhën e kaluar. Ajo ka përmendur seancat parlamentare të vitit 2014, ku gjuha dhe qëndrimi i disa deputetëve ndaj kësaj kategorie ishin të dhimbshme dhe të papranueshme.
Rushiti, e nominuar për Çmimin Nobel, ka treguar për rrugën që e çoi drejt këtij nominimi dhe si fillim të punës me parlamentarët, ku diskursi mbi dhunën seksuale ishte shumë më i ngurtë dhe i papërballueshëm. Ajo theksoi se verifikimet e dhunës dhe mënyra e trajtimit të këtyre çështjeve ka qenë e dhimbshme.
Drejtoresha e QKRMT-së gjithashtu ka rrëfyer takimet e saj të para me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke përmendur vitin 1998 në Kukës, ku u përball me dëshmitë e tmerreve të luftës. Këto përvoja e motivuan atë të hapte një organizatë në Kosovë që ofron mbështetje dhe mundësi për të mbijetuarit që të flasin për përjetimet e tyre në një ambient të sigurt.
Rushiti ka lavdëruar guximin e Vasfijes Grasniqi, e cila e ka thyer heshtjen dhe ka folur publikisht për dhunimin seksual që ka përjetuar. Ajo ka thënë se ky akt ka pasur një ndikim të fuqishëm në shoqëri, duke ndihmuar në thyerjen e paragjykimeve dhe stigmës që i rrethonte viktimat e dhunës seksuale./UBTNews/