Gjigandi finlandez i telekomunikacionit Nokia tha të enjten se do të shkurtonte deri në 14,000 vende pune pasi ka pasur rënie të fitimeve nga dobësimi i kërkesës për pajisjet e saj 5G në Amerikën e Veriut.
Njoftimi i shton një sërë pushimesh nga puna në industrinë e teknologjisë pas një bumi gjatë bllokimeve të pandemisë Covid.
“Në tremujorin e tretë pamë një ndikim të shtuar në biznesin tonë nga sfidat makroekonomike”, tha në një deklaratë CEO, Pekka Lundmark.
Programi i kursimeve të Nokia-s pritet të reduktojë personelin deri në 72,000, duke ulur kostot deri në 1.2 miliardë euro deri në vitin 2026, tha kompania.
Programi synon fushat e biznesit Rrjetet Mobile, Shërbimet Cloud dhe Rrjeti dhe funksionet e korporatës.
“Vendimet më të vështira të biznesit për të marrë janë ato që ndikojnë te njerëzit tanë”, vuri në dukje ai.
“Fitimet ishin shumë më të dobëta se sa pritej dhe perspektiva është më e pasigurt. Kështu që nuk duket aq e mirë në afat të shkurtër për Nokia-n”, tha Atte Riikola për AFP, një analist në firmën e analizës së kapitalit Inderes.
Pavarësisht pasigurisë në tremujorin e tretë, Nokia tha se pret një “përmirësim në bizneset e rrjetit në tremujorin e katërt”.
Por Riikola besonte se “vlerësimet e Nokia-s do të bien mjaft dramatikisht”.
“Ka një mundësi për një paralajmërim negativ fitimi”, shtoi ai./UBTNews/