UBT News

“Nga salla e operacionit në dokumentimin e historisë” – Kirurgu Salih Krasniqi rrëfen përvojat e luftës në Podcast-in e UBT-së

Kirurgu i njohur kosovar, Salih Krasniqi, ishte i ftuar në Podcast-in e UBT-së, ku ndau rrëfime prekëse mbi punën e tij gjatë periudhave të luftës, trajtimin e qindra të plagosurve dhe përpjekjet për të dokumentuar këto përvoja përmes librave dhe ekspozitave.

Gjatë bisedës, ai tregoi se ka organizuar një ekspozitë me rreth 250 fotografi, e cila është prezantuar në disa qytete të Kosovës dhe jashtë vendit, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në realizimin e kësaj nisme kanë kontribuar bashkëpunëtorë të ndryshëm, mes tyre edhe rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Krasniqi theksoi se librat e tij janë shtypur në mijëra kopje me ndihmën e donatorëve dhe janë shpërndarë falas, me qëllim që përvojat e luftës dhe puna e personelit mjekësor të dokumentohen e të ruhen për brezat e ardhshëm.

Ai foli edhe për angazhimin e tij në trajtimin e të plagosurve gjatë konflikteve në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut, ku në kushte shumë të vështira dhe me mundësi të kufizuara mjekësore, u janë ofruar shërbime qindra pacientëve. Rrëfimi i Salih Krasniqit në Podcast-in e UBT-së riktheu në vëmendje sakrificën e mjekëve në kohë lufte dhe rëndësinë e dokumentimit të këtyre ngjarjeve për kujtesën historike.

*****

Pjesë nga intervista:

Edona Sulejmani: Përveç në Kosovë, librat janë prodhuar edhe jashtë vendit. Kush ju ka ndihmuar në këtë drejtim?

Salih Krasniqi: Po, përveç librave, kam realizuar edhe një ekspozitë me 250 fotografi. Në fillim më ka mbështetur Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili më ndihmoi me botimin e një pjese të ekspozitës. Filluam në Prishtinë, në Muzeun e Kosovës, dhe vazhduam në Gjilan, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Prizren, Kukës, Zagreb, Tiranë dhe në SHBA – në Nju-Jork, Uashington, Huston dhe Dallas. Atje hapëm ekspozitën dhe bëmë promovimin e librave.

Për botimin e librave më ka ndihmuar profesor Ramiz Tafilaj, shqiptaro-amerikan, i cili mori përsipër shtypjen e tyre. Librin e kam publikuar në Huston dhe, falë tij, kam siguruar një numër të madh të këtij vëllimi voluminoz. Më ka ndihmuar gjithashtu Safet Qerimaj (nga Furra Qerimi) dhe disa të tjerë që kontribuan financiarisht për shtypjen e 1,500 librave. Janë shpërndarë të gjitha falas. Që nga promovimi në “Grand Hotel” në vitin 2022 e deri më sot, nuk kam pranuar asnjë pagesë nga lexuesit për këto libra.

Edona Sulejmani : Kjo është bërë për një shpërndarje sa më masive te populli shqiptar e më gjerë, që të kemi një dokumentim të qartë të asaj që ka ndodhur gjatë luftës dhe shërbimeve spitalore në QKUK. Është një punë e jashtëzakonshme dhe me shumë mund. Por, ju keni ndihmuar edhe në luftën në Luginë dhe në Maqedoni pas luftës në Kosovë. Publiku mbase nuk e di këtë pjesë; a mund të na tregoni sa e vështirë ka qenë puna dhe ndihma që keni ofruar atje?

Salih Krasniqi: Po, në UÇPMB e kemi pasur pak më lehtë, sepse personeli shëndetësor ishte nga Kosova dhe nuk kishim pengesa; rruga deri në spital ishte e hapur. Gjithashtu, mundësia për t’i sjellë pacientët në Gjilan apo Prishtinë ishte e thjeshtë.

Mirëpo, më pas në Likovë, gjatë luftës së UÇK-së në Maqedoni, situata ishte më problematike. Nuk kishim mundësi t’i sillnim pacientët në Kosovë apo t’i dërgonim lirisht në Shkup. Ishte kohë e vështirë dhe siguria e pacientëve ishte e rrezikuar. Megjithatë, disa prej tyre arritën të shkonin në Shkup. Unë kam të regjistruar 43 pacientë që kanë ardhur në spitalin e Prishtinës, e disa prej tyre janë dërguar edhe në Turqi për trajtim.

Mbaj mend kur po kthehesha në shtëpi më 23 qershor 2001, kishim 9 pacientë dhe thirrëm ndihmën e shpejtë nga Gjilani. Rruga ishte e gjatë deri në kufi. Në kufi na ndaloi KFOR-i; i morën të gjithë pacientët dhe anesteziologun Fadil Latifi dhe i dërguan në Bondsteel. Unë vazhdova me ndihmën e shpejtë drejt Gjilanit, bisedova me drejtorin dhe më pas më sollën në Prishtinë.

Problemi më i madh ishte në Maqedoni, ku duhej t’i trajtonim pacientët në vend. Kishim rreth 375 pacientë që duhej t’i operonim vetë, pasi nuk kishim shpresë te qendrat e tjera. Atje kam pasur rastet më prekëse. Kujtoj një familje ku ishin plagosur katër breza: katragjyshi, gjyshi, babai dhe nipi. Nipi ishte i lënduar në bërryl, ndërsa babai kishte një plagë nën sqetull dhe ishte në gjendje kome. Kishim vetëm një sallë operacioni. Babai dukej aq rëndë, saqë nuk kishte frymëmarrje dhe menduam se kishte vdekur; e lamë përkohësisht nën shkallë. Pasi trajtuam gjyshin dhe nipin, pashë që ai burri nën shkallë po fillonte të merrte frymë. I thashë Fadilit: “A ta fusim në sallë se po më duket gjallë?”. E morëm dhe e trajtuam.

Më pas erdhi Kryqi i Kuq dhe e mori këtë djalin me krah të lënduar dhe babain e tij që menduam se kishte vdekur, dhe i dërguan në Shkup. Më vonë dëgjova se babait i ishte dashur t’i amputohej krahu i djathtë, por shpëtoi, ashtu si edhe djali i tij.

Gjatë trajtimit, plaku i moshuar, ndonëse i plagosur, pyeste me shqetësim për kuletën dhe paratë që i kishin mbetur diku. Një rast tjetër i rëndë ishte familja Zymberi, ku u vranë 9 persona. Ishte një vajzë e lindur në vitin 1994, pra 7-vjeçare, e plagosur rëndë nga mina në pjesën e belit dhe të veshkave. Kishte humbur shumë muskulaturë dhe lëkurë. Ishte e vetëdijshme, fliste, por nuk jepte dot përgjigje të menjëhershme për shkak të shokut. Për fat, atë ditë erdhi Kryqi i Kuq dhe e mori, por vajza vdiq pas 3-4 ditësh në spitalin e Shkupit.

Kur shkoj në Sllupqan për vizitë (tani nuk guxoj të shkoj më në Maqedoni), vizitoj varrezat. Sa herë kam qenë atje, jam ndier keq sepse ajo vajzë kishte moshën e vajzës sime. Secili rast i asaj kohe është një roman më vete; mund të shkruhet pafund për atë që ka përjetuar popullata jonë.

 

Exit mobile version