Shkollat fillore në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi, do të mbyllen për të mbrojtur fëmijët nga smogu toksik që po mbyt qytetin prej 20 milionë banorësh, thanë autoritetet të premten.
Tymi nga fermerët që djegin kashtë, gazrat e automjeteve dhe emetimet e fabrikës kombinohen çdo dimër për të mbuluar kryeqytetin në një mjegull vdekjeprurëse gri.
Sipas firmës monitoruese IQAir, të premten, nivelet e grimcave më të rrezikshme PM2.5 – aq të vogla sa mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut – ishin pothuajse 25 herë më shumë se maksimumi ditor i rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kryeministri i Delhit, Arvind Kejriwal, nën kritikat e banorëve dhe kundërshtarëve politikë për dështimin në adresimin e krizës, tha se shkollat fillore do të mbyllen nga e shtuna derisa “gjendja e ndotjes të përmirësohet”.
“Asnjë fëmijë nuk duhet të vuajë në asnjë mënyrë” u tha Kejriwal gazetarëve.
Delhi renditet shpesh si një nga qytetet më të ndotura në botë. Të premten ai përsëri kryesoi listën e IQAir të qyteteve me cilësinë më të keqe të ajrit.
Një studim i Lancet në vitin 2020 i atribuoi 1.67 milionë vdekje ndotjes së ajrit në Indi gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë pothuajse 17,500 në kryeqytet./UBTNews/