Studentët e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT zhvilluan një vizitë në televizionin “Klan Kosova” në Prishtinë.
Ata u pritën nga Drejtori i informacionit, Gazmend Syla dhe nga redaktori përgjegjës, Blerim Xhemajli.
Studentët, të shoqëruar nga mentorja Albina Zeneli, u njohën nga afër me procesin e prodhimit televiziv, transmetimet live, realizimin e lajmeve dhe funksionimin e departamenteve të ndryshme.

Ata gjithashtu parashtruan pyetje të ndryshme e patën mundësinë të diskutojnë me profesionistë të medias, të marrin këshilla praktike dhe të mësojnë rreth sfidave dhe mundësive në industrinë e televizionit dhe komunikimit masiv.
Vizita u ofroi studentëve perspektivë të drejtpërdrejtë mbi punën e mediave dhe fuqizoi njohuritë profesionale, që lidhen me mësimin praktik, zhvillimin personal dhe profesional të studentëve.
Ata panë proceset reale të punës, teknologjitë dhe metodat që përdoren në profesion, gjë që nuk mund të përjetohet vetëm në klasë.
Vizitat ndihmojnë studentët të përmirësojnë aftësi si komunikimi, bashkëpunimi, vëzhgimi kritik dhe zgjidhja e problemeve. /UBT News/
