Ju njoftojmë se, më datat 24 dhe 25 korrik 2026, për shkak të koncertit të paralajmëruar të Yll Limanit në Prishtina Mall, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut.
Me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe shmangies së ngarkesave në trafik:
• Qytetarët që udhëtojnë në relacionin Prishtinë – Shkup dhe anasjelltas, gjatë kësaj periudhe luten të përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi”, për të shmangur vonesat dhe ngarkesën në trafik.
• Për vizitorët e koncertit janë organizuar autobusë falas të Trafikut Urban, me nisje nga Prishtina drejt Prishtina Mall dhe anasjelltas.
• Për automjetet që lëvizin nga Prishtina në drejtim të Prishtina Mall, pas rrethit të Marigonës do të vendosen kona në shiritin e majtë të qarkullimit, i cili do të rezervohet për vizitorët e koncertit.
• Për automjetet që vijnë nga Ferizaj në drejtim të Prishtina Mall, do të vendosen kona në shiritin e djathtë, ndërsa hyrja për vizitorët do të realizohet përmes rrugicës në të djathtë, para se të arrihet te rrethi i Prishtina Mall.
Kërkohet mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve, si dhe respektimi i udhëzimeve të zyrtarëve policorë dhe sinjalizimit të përkohshëm rrugor, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së trafikut gjatë koncertit të Yll Limanit./A.K/
