Në veri ka filluar tërheqja e bllokadave. Një prej kamionëve që ka qenë në rrugë tashmë është larguar prej aty, raporton media kosovare.
Tërheqja e tyre vjen pas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel, sipas së cilës largimi i tyre pritet të fillojë në orën 08:00 dhe pritet të përfundojë jo më larg se në orën 16:00.
Sot pritet të bëhet zhbllokimi i pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak, të cilat kanë qenë të bllokuara që prej 20 shtatorit. Për mënyrën se si do të bëhet zhbllokimi i këtyre vendkalimeve kufitare, ka folur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Sipas Bislimit, atje do të vendoset fillimisht njësiti i KFOR’it dhe pastaj në orën 08:00 pritet të fillojë edhe zhvendosja e barrikadës dhe e policisë speciale.
“Zhbllokimi është paraparë për ditën e nesërme (e shtunë, 2 tetor). Paraprakisht duhet njësit i KFOR-it të vendoset në vendkalimet kufitare dhe në bashkëveprim me njësitë speciale të Policisë së Kosovës të informohen për të gjitha elementet që janë të nevojshme për të siguruar stabilitetin e vendkalimeve kufitare dhe sigurinë e tyre”, ka deklaruar Bislimi.
Ai thotë se nuk ka ndonjë sekuencë se cila palë duhet të tërhiqet para tjetrës, meqenëse zhvendosja do të bëhet në mënyrë të njëkohshme.