Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia B2 e Termocentralit “Kosova B”, është rikthyer me sukses në operim.
Sipas njoftimit, sinkronizimi me rrjetin energjetik është realizuar me dt: 10.04.2025, rreth orës 23:39 dhe aktualisht njësia po operon në mënyrë të qëndrueshme dhe brenda parametrave teknikë normal.
“Ky rikthim në operim është rezultat i angazhimit të jashtëzakonshëm të punëtorëve dhe menaxhmentit të Termocentralit “Kosova B”, të cilët kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defektit dhe vënien në funksion të njësisë. Fillimisht, rikthimi ishte planifikuar të ndodhte në orët e hershme të mëngjesit, mirëpo pas kryerjes së provës hidraulike u evidentua nevoja për eliminimin e disa rrjedhjeve shtesë në kaldajë, çka kërkoi një fazë shtesë të ndërhyrjeve teknike. KEK falënderon sinqerisht të gjithë stafin teknik dhe menaxherial për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit, duke siguruar rikthimin në operim të njësisë B2 brenda afatit të paraparë, në përputhje me nominimet për datën 11 prill 2025. Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar për të siguruar një prodhim të qëndrueshëm dhe të besueshëm të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.