UBT News

Një zyrtar i OKB-së paralajmëron konflikt të brendshëm dhe thellim të varfërisë në Afganistan

Një zyrtar i lartë i OKB-së paralajmëroi të martën një konflikt të mundshëm të brendshëm dhe përkeqësim të varfërisë në Afganistan nëse talibanët nuk u përgjigjen shpejt nevojave të shoqërisë, duke thënë se goditja e tyre ndaj të drejtave të vajzave dhe grave sinjalizon indiferencë për mbi 50% të popullsisë së Afganistanit dhe gatishmërisë për të rrezikuar izolimin ndërkombëtar.

Markus Potzel, zëvendëspërfaqësuesi i OKB-së për Afganistanin i tha Këshillit të Sigurimit se disa nga “arritjet e pretenduara dhe të pranuara” të talibanëve po i kontribuojnë situatës.

Sipas tij, Afganistani po përballet me rritje të vazhdueshme të përleshjeve të armatosura, aktiviteteve kriminale dhe sulmeve terroriste të profilit të lartë, veçanërisht nga grupi ekstremist i Shtetit Islamik, i cili sipas Potzel, dëshmoi muajt e fundit se mund të kryejë vrasje të figurave pranë talibanëve, të sulmojë ambasadat e huaja, të hedhë raketa kundër fqinjve të Afganistanit dhe të vazhdojë fushatën e gjatë kundër myslimanëve shiitë dhe pakicave etnike.

Potzel tha se situata ekonomike gjithashtu “mbetet e dobët”, për shkak se siguria ushqimore po përkeqësohet dhe dimri po afrohet./UBTNews/

Exit mobile version