Më 3 prill të vitit 2023, ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se kanë kryer krime lufte.
Pas një procedure të gjatë paragjyqësore, për gati tri vjet, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë para trupit gjykues.
Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në nëntor të vitit 2020 për t’u ndryshuar pastaj më 3 shtator 2021, 29 prill dhe 30 shtator 2022. Ndërsa versioni i aktakuzës me më pak redaktime, e cila është në fuqi aktualisht, u dorëzua në shkurt të këtij viti.
Gjatë asaj dite, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën hyrëse dhe për këtë i kishte në dispozicion 5 orë.Pas kësaj, është mbrojtësi i viktimave bëri deklaratën hyrëse dhe procesi vazhdoi me deklaratat hyrëse të ekipeve mbrojtëse.
Sipas Dhomave të Specializuara, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në ketë proces gjyqësor. Kundër ish-krerëve të UÇK-së pritet të dëshmojnë mbi 300 dëshmitarë të prokurorisë. E për t’i përfunduar këta dëshmitarë ka dalë se nevojiten dy vjet kohë. Ndërsa vetëm për të përmbyllur çështjen e prokurorisë është thënë se do të duhen deri në 5 vjet e gjysmë. Kjo periudhë është konsideruar e gjatë nga ekipet mbrojtëse, ndërsa trupi gjykues i kishte kërkuar prokurorisë që të reduktojë këtë numër.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.