Sot, janë bërë një vit prej kur ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Parlamentit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish deputeti Rexhep Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Aktakuza ndaj Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit u konfirmua më datë 4 nëntor të vitit 2020, ndërsa një ditë pas e njëjta gjë i ndodhi edhe Kadri Veselit e Hashim Thaçit, i cili po atë ditë dha dorëheqje nga posti i presidentit.
Lajmin për konfirmimin e aktakuzës ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi e pati konfirmuar avokati i tij, pasi njësitet e EULEX-it mëngjesin e datës 4 nëntor 2020 e kanë bastisur shtëpinë e Krasniqit.
“Krejt çfarë mund të konfirmojë është që ka një bastisje… Aktakuza e cila është konfirmuar, tash duhet të transferohet zotëri Krasniqi në Hagë, besoj gjatë ditës së sotme”, ishte shprehur avokati i Krasniqit.
Ndërsa, lajmin për konfirmimin e aktakuzës për Selimin e bëri vet ish deputeti i Vetëvendosjes, ku mes tjerash pati thënë se “kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”, ishte shprehur “10-shi” i UÇK-së.
Njëjtë si “10-shi”, lajmin për konfirmimin e aktakuzës e bëri edhe “Luli”.
Ish kreu i PDK-së, Kadri Veseli, lajmin për konfirmimin e aktakuzës e dha përmes rrjetit social “Facebook”, duke thënë se kjo është një mundësi që tu përgjigjet dyshimeve dhe thashethemeve të rrejshme që sipas tij kanë qarkulluar për vite të tëra.
“Jam i vetëdijshëm se ka njerëz në Kosovë që mendojnë se Dhomat e Specializuara janë një fyerje e luftës sonë historike për të mbrojtur popullin e Kosovës nga krimet e regjimit të Millosheviqit. Por unë nuk e shoh në këtë mënyrë, Unë e shoh si një mundësi që më në fund të përgjigjem ndaj këtyre dyshimeve dhe thashethemeve të rrejshme të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra”, kishte shkruar Veseli.
Kurse, lajmin për konfirmimin e aktakuzës, komandant “Gjarpri”, e bëri përmes një konference për shtyp, ku po atë ditë, Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.
Ai, mes tjerash tha se këto kohë nuk janë të lehta për të e familjen e tij, dhe se para gjyqit nuk do të del si president i Kosovës.
“Ju lus për maturi qetësi dhe për unitet. Të qëndrojmë të bashkuar dhe duam të ruajmë besimin. Para gjyqit nuk do ta dal si president dhe për të mbrojtur integritetin e Kosovës, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovës. Ftoj forcat politike që mos të thellohemi në krizë kushtetuese dhe institucionale”, ishte shprehur Thaçi.