Një vit pas rrëzimit të Qeverisë afgane të njohur ndërkombëtarisht dhe marrjes së pushtetit, talibanët kanë konsoliduar kontrollin e tyre të ngushtë mbi vendin e shkatërruar nga lufta.
Grupi ekstremist ka monopolizuar pushtetin, duke mënjanuar shumë grupe etnike dhe politike. Ai, po ashtu, ka burgosur dhe rrahur gazetarë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, të cilët kanë protestuar kundër kufizimeve të ashpra të talibanëve ndaj të drejtave të grave dhe lirisë së shtypit.
Rezistenca e vogël, ndonëse e qëndrueshme, ndaj sundimit taliban ka dështuar të bëjë depërtime të rëndësishme. Ndërkohë, militantët kanë zhvilluar një luftë të përgjakshme kundër grupit ekstremist rival, Shteti Islamik- Khorasan (IS-K).
Fushata e talibanëve ka mposhtur, por nuk e ka mundur IS-K, që ka vazhduar të vendosë bomba vdekjeprurëse në qytetet e mëdha.
Ekspertët thonë se kërcënimi më i madh për talibanët është përçarja në rritje. Përçarjet janë zgjeruar ndërsa fraksionet rivale luftojnë për fuqinë politike dhe burimet ekonomike.
Asnjë shtet nuk i ka njohur talibanët. Por, fuqitë perëndimore të prira për të zbutur politikat e ashpra të talibanëve dhe për të shmangur një katastrofë humanitare në Afganistan, kanë vazhduar dialogun me grupin ekstremist.
Akuzat se talibanët strehonin liderin e Al-Kaidës, Ayman al-Zawahirin, i cili u vra në një sulm të SHBA-së me dron në Kabul, vënë në rrezik qëllimin e grupit për të fituar legjitimitet dhe ndihmë ndërkombëtare, thanë vëzhguesit.
Opozita e armatosur dhe e paarmatosur
“Për talibanët, është shumë e rëndësishme që qeveria e tyre aktuale është i vetmi regjim në historinë e kaluar prej katër dekadash të Afganistanit që kontrollon gjithë vendin”, tha Sami Yousafzai, një gazetar dhe komentues veteran afgan që nga paraqitja e talibanëve në vitet 1990.
Dominimi territorial i talibanëve, tha ai, ka të ngjarë të parandalojë një luftë civile si në vitet 1990, kur vendet fqinje armatosën fraksionet rivale afgane që mbajti terren në pjesë të ndryshme të vendit. Edhe pasi talibanët mbizotëruan në luftën civile më 1996, ata nuk ishin në gjendje të pushtonin gjithë Afganistanin para se të rrëzohej nga pushteti pas pushtimit të udhëhequr nga ShBA-ja më 2001.
“Fqinjët e Afganistanit janë befasuar me fuqinë ushtarake të talibanëve, pavarësisht nga dobësia e tyre ekonomike”, tha Yousafzai. “Ata të gjithë e dinë se një luftë tjetër civile në Afganistan nuk do të zgjidhë asgjë, por do të hapë një kuti të re të Pandorës”.
Një pjesë e grupeve të vogla të armatosura kanë kundërshtuar sundimin taliban në rajone të ndryshme të vendit. Por, ato mbeten të dobëta, të ndara dhe nuk kanë asnjë strehë apo ndihmë nga jashtë, thanë ekspertët.
“Ato kryesisht shkaktojnë bezdi, jo një kërcënim për regjimin taliban”, tha Marvin Weinbaum, drejtor i studimeve për Afganistanin dhe Pakistanin në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington.
Grupi më i fuqishëm kundër talibanëve është Fronti i Rezistencës Kombëtare (NRF), i udhëhequr nga Ahmad Masud, djali i ish-komandantit muxhahedin Ahmad Shah Masud, i cili përdori vendlindjen e tij, Luginën Panjshir në Afganistanin verior, si bazë për të luftuar forcat sovjetike në vitet 1980 dhe talibanët në vitet 1990.
NRF-ja ka organizuar sulme vdekjeprurëse, sporadike kundër talibanëve, por nuk ka mundur ta luftojë kontrollin e luginës. Grupi militant ka përdorur forcë brutale për të shuar rezistencën, duke përfshirë vrasjen dhe torturimin e pretenduar të luftëtarëve të rezistencës dhe ndalimin dhe rrahjen e civilëve.
Weinbaum tha se fqinjët e Afganistanit dhe fuqitë e huaja nuk janë të interesuara të ndezin luftë më të gjerë civile duke armatosur grupet e rezistencës.
“Ata do të preferonin të kishte një qeveri në Kabul, mjaftueshëm të qëndrueshme për të lehtësuar përpjekjet ndërkombëtare për t’u marrë me një krizë humanitare që mund të sjellë një valë refugjatësh”, tha ai, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar gjithashtu dëshiron të frenojë kërcënimin e paraqitur nga grupe militantësh transnacionalë si IS-K në Afganistan.
Talibanët, gjithashtu, kanë shtypur dhunshëm opozitën paqësore ndaj sundimit të tyre.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë akuzuar talibanët për kryerjen e vrasjeve jashtëgjyqësore, ndalimeve arbitrare, zhdukjeve të detyruara, torturave dhe rrëfimeve të detyruara, si pjesë e përpjekjeve të tyre për të shtypur mospajtimin. Militantët kanë vënë në shënjestër mbrojtësit e të drejtave të njeriut, gratë aktiviste, gazetarët dhe intelektualët.
Talibanët kanë shpërndarë me dhunë protestat paqësore të organizuara nga gratë që kërkojnë të drejtat e tyre themelore.
Mediat dikur të zëshme afgane gjithashtu janë heshtur kryesisht përmes frikësimit, ndalimit dhe rrahjes së gazetarëve.
‘Fraksionet’ e brendshme
Ekspertët thanë se kërcënimi më i madh për talibanët janë ndarjet e brendshme. Ndërkohë që talibanët janë përpjekur të shndërrohen nga një kryengritje në një qeveri funksionale pas marrjes së pushtetit, ka pasur raporte në rritje për konflikte të brendshme brenda grupit militant.
Mosmarrëveshjet për shpërndarjen e pushtetit dhe burimeve ekonomike kanë kaluar edhe në dhunë. Talibanët zhvilluan një fushatë ushtarake vdekjeprurëse kundër një komandanti disident në veri të Afganistanit në qershor. Vëzhguesit thanë se konfliktet kishin të bënin me kontrollin e minierave fitimprurëse të qymyrit.
Sipas ekspertëve, talibanët, kryesisht të përbërë nga pashtunë, janë të ndarë sipas linjave etnike, rajonale dhe fisnore. Ka gjithashtu dallime midis militantëve lidhur me politikën, thanë ata.
Besohet se ekziston një konkurrencë në rritje mes rrjetit Haqqani – një fraksion taliban me bazë në lindje – dhe një fraksioni të bashkëthemeluesve talibanë në jug të vendit. Gijthashtu, ekziston një fraksion më i vogël dhe më pak i fuqishëm i komandantëve talibanë etnikë taxhikë dhe uzbekë, të cilët janë të vendosur në Afganistanin verior.
Po ashtu, ka pasur përçarje midis figurave politike relativisht pragmatike të talibanëve, komandantëve të linjës së ashpër në terren dhe klerikëve radikalë, të cilët janë të vendosur të zbatojnë interpretimin e tyre fundamentalist të ligjit islamik.
Weinbaum tha se ka pasur mosmarrëveshje të forta midis fraksioneve rivale talibane. Por, ai theksoi se fraksioni i udhëhequr nga krerët e talibanëve jugorë ka fjalën e fundit.
“Duket një përpjekje e ndërgjegjshme për të shmangur llojin e thyerjeve që mund të minojnë kontrollin e regjimit në pushtet dhe për këtë arsye, një nxitje e fortë për t’i zbutur dallimet”, tha ai.
Pikë kthese
Ekspertët thanë se vrasja e Zawahirit më 31 korrik në një sulm me dron të ShBA-së në Kabul, mund të jetë një pikë kthese për talibanët.
Menjëherë pas vrasjes, Shtetet e Bashkuara akuzuan talibanët për strehimin e Zawahirit në kundërshtim me marrëveshjen e Dohas të vitit 2020. Sipas kësaj marrëveshjeje, e cila hapi rrugën për tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani, talibanët u zotuan për mosstrehim të rrjetit terrorist. Talibanët pretenduan se nuk dinin për praninë e Zawahrit në Kabul.
Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin pasi talibanët refuzuan të dorëzonin liderët e Al-Kaidës që Uashingtoni i konsideroi përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit.
“Zbulimi i Zawahirit në qendër të Kabulit vë një kthesë në përpjekjet e talibanëve për të fituar legjitimitet dhe ndihmë nga bota perëndimore”, tha Asfandyar Mir, analist i lartë në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara në Uashington.
“Unë mendoj se në të ardhmen kjo do të jetë një sfidë e madhe për talibanët”.
Graeme Smith, një analist i Afganistanit për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, tha se operacioni amerikan “përtej horizontit” që vrau Zawahrin, ka të ngjarë të ishte i vetëm. Ai nuk parashikon një fushatë më të gjerë ushtarake të SHBA-së kundër terroristëve me bazë në Afganistan.
Smith shtoi se vrasja e Zawahrit ka komplikuar bashkëpunimin perëndimor me talibanët. Ai iu referua pezullimit të bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe talibanëve lidhur me rezervat e ngrira të Bankës Qendrore afgane me 3.5 miliardë dollarë, që Uashingtoni tregoi se mund të lironte për të mbështetur stabilitetin makroekonomik në Afganistan.
“Mosbesimi thellohet kur talibanët nuk janë aspak të sinqertë për kërcënimin e Al-Kaidës në terren”, tha Smith./REL