Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të Liam Payne, motra e tij Ruth ndau një mesazh thellësisht emocional në Instagram, duke e përshkruar humbjen e vëllait si “mizore dhe pa kuptim”.
Këngëtari i njohur i grupit One Direction ndërroi jetë në tetor të vitit 2024, në moshën 31-vjeçare, pasi ra nga ballkoni i një hoteli në Argjentinë. Sipas raportit toksikologjik, në sistemin e tij u gjetën gjurmë alkooli, kokainë dhe një antidepresivi, shkruan DailyMail.
Ruth publikoi disa fotografi familjare, duke shprehur dhimbjen që e shoqëron çdo ditë: “Një vit, 12 muaj, 365 ditë… sido që ta them, mbetet e njëjta e vërtetë e dhimbshme — ti nuk je më këtu.”
Ajo tregoi se ka makthe që lidhen me momentet e fundit të Liamit dhe pranoi se ende nuk mund ta përballojë plotësisht humbjen e tij.
“E nënvlerësova pikëllimin,” shkroi ajo. “Je humbja më e madhe e jetës sime, personi që do të më mungojë çdo ditë të ardhshme.”
Motra e këngëtarit rrëfeu se djali i Liam, Bear, ka ndryshuar shumë gjatë këtij viti dhe ndien thellë mungesën e babait të tij. Ajo shtoi se përpiqet ta ndiej praninë e vëllait në detajet e vogla të përditshmërisë: “I them ‘natën e mirë’ yjeve, në rast se diku atje mund të të gjej.”
Në përfundim të homazhit, Ruth u bëri thirrje njerëzve të kujtojnë se, përtej famës dhe muzikës, Liam ishte një bir, një baba e vëlla i dashur. “Gjithmonë me dashuri, Liam — në çdo jetë,” përfundoi ajo.
Ndërkohë, fansat e këngëtarit mbajtën një ceremoni përkujtimore në Argjentinë, pranë hotelit ku ndodhi tragjedia.
Nga donacionet e mbledhura në kujtim të tij janë siguruar rreth 250 mijë funte (afërsisht 287 mijë euro) për Spitalin e Fëmijëve Great Ormond Street, duke e kthyer kujtimin e Liam Payne në një trashëgimi dashurie dhe bujarie. /A.Z/UBT News/