Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar njëvjetorin e zgjedhjeve në Kosovë, teksa u shpreh se me këto zgjedhje Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit.
Osmani theksoi se një vit pas zgjedhjeve, vullneti i qytetarëve është përdhosur, e vota e tyre është tjetërsuar.
“Sot, një vit më pas, ky vullnet qytetar është përdhosur, ndërsa vota e tyre është tjetërsuar. Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar.”, shkroi ajo në Facebook.
Sipas Osmanit, vullneti i qytetarëve do të rikthehet më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë.
“Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar. Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë. Tek e fundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë.”, shkroi Osmani në Facebook./UBTNews