Sh.S është dënuar me 1 vit burgim efektiv dhe është obliguar t’ia kthejë të dëmtuarës 7 mijë e 500 euro pasi ka pranuar se më 1 gusht të këtij viti, në shtëpinë e të dëmtuarës R.H, vodhi 7 mijë e 500 euro para të gatshme, si dhe stoli ari e argjendi në vlerë prej 6 mijë euro.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Sh.S, është shpallur të premten në Gjykatën Themelore të Gjilanit dega në Viti, nga gjykatësja Drane Simani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata të njëjtin përmes aktgjykimit e ka detyruar që në emër të dëmit të shkaktuar të dëmtuarës R.H, t’ia paguajë shumën prej 7 mijë e 500 euro, ndërsa për pjesën e stolive e dëmtuara është udhëzuar në kontest civil.
Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit Sh.S.do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë.
Po ashtu, obligohet i akuzuari që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor t’i paguajë kësaj gjykate shumën prej 20 euro si dhe shumën prej 30 euro në Fondin e Viktimave të Krimit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 18 gusht 2022, ka ngritur aktakuzë kundër Sh.S, me arsyetimin se më 1 gusht 2022, në Viti, në shtëpinë e të dëmtuarës R.H, me dashje, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten e tij, i ka marrë pronën të dëmtuarës, përkatësisht të holla në vlerë të përgjithshme prej 7 mijë e 500 euro dhe bizhuteri ari në vlerë rreth 6 mijë euro.
Aktakuza thotë se më parë, i pandehuri Sh.S, e ka parë të dëmtuarën R.H, në një dasmë në një restorant në Ferizaj dhe pas një kohe për të përfituar nga mungesa e viktimës ka dalë nga lokali dhe është larguar me makinën e tij “Mercedes”, shkon në Viti në rrugën “Çerçiz Topulli”, ku ka parkuar automjetin, e më pas ka shkuar në shtëpinë e të dëmtuarës dhe fillimisht ka kërcyer murin dhe është futur në oborr.
Më pas, thuhet se me një send të përshtatshëm me përdorim të forcës ka ngritur grilat dhe ka hapur dritaren dhe ka hyrë brenda dhe në një dhomë të vogël dhe nga dollapi, nga kompleti, ka marrë një çantë në të cilën kishte para në vlerë prej 7 mijë e 100 euro dhe bizhuteri- ari, përkatësisht 8 byzylykë, 6 unaza, 3 varëse, 1 zinxhir, 1 byzylyk që mbyllet, një unazë martese, si dhe dy perla, një byzylyk argjendi, një komplet argjendi konkretisht vathë, një unazë dhe një varëse.
Në aktakuzë thuhet se më pas ka hyrë në dhomën e gjumit dhe nga dollapi, nën lavanderi, ka marrë para në vlerë prej 400 euro si dhe 1 rreth-unazë martese, e cila ishte në një kuti dhe kur gruaja- e dëmtuara ka hyrë në dhomën e gjumit, i pandehuri me çantën dhe paratë e vjedhura është hedhur nga dritarja, ka kaluar mbi mur, shkon në automjetin e tij dhe është larguar nga vendi i ngjarjes dhe pas disa ditësh një pjesë të arit të vjedhur e ka shitur në argjendaritë NTP “Roni” dhe NTP “Brilant” në Ferizaj.
Me këto veprime, i pandehuri Sh.S akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë”, nga neni 315, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 të Kodit Penal.