UBT News

Një tetëvjeçare me autizëm largohet nga shkolla “Elena Gjika”, reagon Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas publikimit të lajmit për largimin e tetëvjeçares me autizëm nga shkolla “Elena Gjika” në Prishtinë.

Duke shprehur shqetësimin e saj lidhur me këtë ngjarje, Nagavci ka thënë se arimi i të gjithë fëmijëve është e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi, deri sa ka shtuar se çfarëdo veprimi që vie ndesh me politikat gjithpërfshirëse është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet.

“Me shqetësim mora informatën për rastin e nxënëses 8 vjeçare, me aftësi të kufizuara, të cilës ju pamundësua vijimi i mësimit në një shkollë të Komunës së Prishtinës. Arsimi i të gjithë fëmijëve është e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi, bazuar në instrumentet ndërkombëtare. Çfarëdo veprimi i cili bie në kundërshtim me politikat tona gjithëpërfshirëse, është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet”, ka thënë ajo në Facebook-un e saj.

Ndërkohë, Nagavci ka bërë të ditur edhe hapat që tashmë kanë ndërmarrë karshi kësaj ndodhie.

“Kam autorizuar kolegët përkatës në MASHTI për të analizuar në aspektin profesional rastin, konform situatës dhe gjetjeve do të ndërmarrim të gjitha masat, ashtu që rasti në fjalë të zgjidhet bazuar në interesin me të mirë të fëmijës. MASHTI në kuadër të sigurimit të mekanizmit të mbështetjes se shkollës dhe fëmijeve me aftësi të kufizuara ka ndarë mjetet dhe buxhetin për punësimin e asistenteve, Komuna e Prishtinës e ka pasur të lejuar punësimin e 12 asistentëve dhe detyra e tyre ka qenë pikërisht mbështetja e nxënësve me aftësi të kufizuara që kanë vështirësi në adoptim dhe mësimnxënie. Fatkeqësisht, Komuna e Prishtinës nuk i ka punësuar këta asistentë”, ka thënë ajo.

E para e arsimit, u ka bërë thirrje të gjitha komunave, të cilave ua kanë alokuar mjetet, që të shpallin konkurset dhe të punësojnë asistentët, të cilët duhet t’i angazhojnë në shkolla, për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje. 

Exit mobile version