Mbi 1 mijë vjet më parë, një popull autokton eksploroi një shpellë të errët në vendin që tashmë njihet si Misuri dhe pikturoi afro 300 imazhe të detajuara në muret e saj.
Shpella ishte një hapësirë e shenjtë, ku fiset kryenin ceremonitë, i jepnin kuptim universit dhe varrosnin të vdekurit e tyre. Kurse 1 mijë vjet më vonë, këto piktura janë dëshmi për jetesën e tyre.
Të martën, shpella e pikturave – siç njihet, u shit në ankand për 2.2 milionë dollarë. Dhe për fisin Osage, paraardhësit e të cilit krijuan shumë nga veprat e artit në shpellë, shitja ishte “goditje e madhe”.
“Paraardhësit tanë krijuan imazhe në këto mure dhe i mbajtën disa rituale. Është absolutisht vend i shenjtë për ne. Me të drejtë duhet të jetë nën pronësinë tonë”, deklaroi Andrea Hunter nga fisi Osage.
Dekada të tëra një familje e zotëronte këtë vend
Që nga viti 1953, kjo shpellë dhe 43 hektarë tokë ishin në pronësi të një familjeje në St.Louis, që kryesisht e përdorte shpellën për gjah. Por vitet e fundit, familja diskutoi mundësinë e shitjes së kësaj hapësire, sipas Bryan Laughlin, drejtor ekzekutiv në “Selkirk Auctioneers & Appraisers”, kompania që e organizoi ankandin.
Sapo fisi Osage mësoi se vendi i tyre i shenjtë së shpejti mund të dilte në shitje, ata shprehën interes që ta marrin këtë vend.
Gjatë një periudhe prej disa muajsh, fisi Osage tentoi të arrinte një marrëveshje me familjen, në mënyrë që familja ta lejonte fisin ta blinte këtë vend. Por palët nuk arritën marrëveshje rreth çmimit.
Carol Diaz-Granados, një antropologe e cila së bashku me bashkëshortin e saj, James Duncan kaluan më shumë se dy dekada duke hulumtuar shpellën, dhe shkruan një libër mbi misteret e saj, konsiderojnë se shitja “edhe e gabuar edhe joetike”.
Blerësi nuk është identifikuar./UBTNews