UBT News

Një segment i Unazës së Arbërisë në Prishtinë emërtohet në nderim të diplomatit amerikan Frank Wisner

Një segment i Unazës së Arbërisë në Prishtinë është emërtuar në nderim të diplomatit amerikan Frank Wisner, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe angazhimin e tij në Kosovë.

Në ceremoninë e emërtimit ishte e pranishme edhe përfaqësuesja e familjes, Sabina Wisner, e cila falënderoi institucionet për këtë nderim, duke theksuar lidhjen e veçantë që Frank Wisner kishte me Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Është një nder që jam këtu dhe ju falënderoj për këtë nderim. Ai e adhuronte punën në këtë rajon dhe ka bërë shumë miq këtu. Ai kishte një lidhje të veçantë me vendin dhe me të gjithë ju”, tha ajo.

Sabina Wisner u shpreh e pikëlluar që Frank Wisner nuk është më gjallë për ta ndarë këtë moment me familjen dhe të pranishmit.

“Jam vetëm e pikëlluar që ai nuk është më me ne për ta ndarë këtë moment. Nga viti 2005 deri në vitin 2009, ai ka punuar me shumë pasion dhe përkushtim në këtë projekt. Andaj, ju falënderoj shumë për këtë nderim”, shtoi ajo.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëri të ditur se për familjen Wisner ishte përgatitur edhe një dhuratë simbolike, si dhe një pankartë që mund ta merrnin me vete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe David Wisner, djali i Frank Wisnerit, i cili po ashtu shërben si diplomat amerikan.

Frank G. Wisner ishte diplomat i karrierës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin diplomatik që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Më 19 dhjetor 2005, sekretarja e atëhershme amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, e emëroi Wisnerin përfaqësues të posaçëm të SHBA-së për bisedimet rreth statusit të Kosovës.

Në këtë detyrë, ai përfaqësoi qëndrimin amerikan në procesin negociator të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, duke qenë pjesë e përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për arritjen e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës.

Frank Wisner ndërroi jetë më 24 shkurt 2025, në moshën 86-vjeçare./A.K/

Exit mobile version