Ndihma e saj gjatë dhe pas luftës për Kosovën dhe popullin e saj, janë arsyeja pse komuna e Podujevës ka emërtuar një rrugë në qytet me emrin e ish-eurodeputetës, Doris Pack.
Ish-eurodeputetja, Pack, e cila ndjehej krenare për këtë ngjarje, ka thënë se do të ketë kontakte me kolegët e saj në Parlamentin Evropian për ta ndihmuar popullin e Kosovës. Sipas saj, Kosova meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe shpreson se do të ndodhë së shpejti.
“Ndihem shumë e përulur, por jam shumë krenare dhe mendoj se është e vetmja rrugë në botë që ka emrin tim. Kjo tregon se njerëzit e Kosovës e dinë se unë jam shumë afër zemrës dhe jetës së tyre, dhe që jam këtu që nga viti 1990. Viti 1990 ishte hera ime e parë në Kosovë dhe nga kjo kohë po ndjej me popullin, po vuaj me popullin dhe ndonjëherë kam qenë e lumtur me popullin. Por gjërat shkuan në një drejtim të mirë. Dhe shpresoj shumë që një e ardhme e tillë të jetë më e mirë se e kaluara. Nuk mund të bëj aq shumë sepse nuk jam më në post aktiv, por mendoj se do të jem zëri i Kosovës në pjesën perëndimore dhe do të kem gjithmonë kontakte me kolegët e mi në Parlamentin Evropian për t’u dhënë atyre një ide se çfarë do të thotë të ju ndihmoj juve, sepse ata ndihmojnë një vend shumë demokratik i cili meriton të jetë anëtar i Këshillit të Evropës dhe shpresoj se do të ndodhë së shpejti”, është shprehur Pack.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka theksuar se me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Podujevës, njëri nga aktivitetet e 19 qershorit është shpallja si qytetare nderi ish-eurodeputetën Doris Pack. Bulliqi ka shtuar se populli i Kosovës gjithmonë do të jetë “borxhli” ndaj kontributit të Pack, e kjo sipas tij është më e pakta që mundet me e bërë ky shtet për ish-eurodeputetën.
“Është një veprim më e vogël që kemi mundur me e bë për një njeri kaq të madhe që ka dhënë kaq shumë për Kosovën e cila ka kontribuar në aspektin e internacionalizimin e çështjes së Kosovës, por jo vetëm sepse kontributi i saj ka vazhduar edhe pas luftës në njohjen e pavarësisë së Kosovës, prandaj si Kuvend Komunal kemi marrë vendim që të shpallim qytetare nderi të komunës sonë dhe njëkohësisht në vazhdën e krejt këtyre aktiviteteve 19 qershorit, Ditës së Çlirimit të Podujevës kemi vendos një rruge të rëndësishme këtu t’ia lëmë emrin e kësaj mike të madhe shqiptare për çka e falënderoj shume që është në mesin tonë dhe besoj që kontributi, angazhimi i saj është shumë më i madh. Ne jemi gjithmonë borxhli që ta ruajmë si mike të mirë dhe ta respektojmë çfarëdo situate qoftë”, ka theksuar Bulliqi.
Rruga në Podujevë me emrin “Doris Pack” fillon nga kryqëzimi i rrugës “Agron Rrahmani” dhe “Ali Ajeti” deri te kryqëzimi me rrugën “Bedri Bajrami” dhe “Fahri Fazliu”.