Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë të enjten në mbrëmje raportin e ri gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Në seancën që do të mbahet në New York, e cila do të kryesohet nga Rusia, Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen nga ministrat përkatës të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwartz dhe Ivica Daçiq.
Në raportin për periudhën nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023, Guterres ka përshëndetur Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e zbatimit të saj, për të cilin liderët e dy palëve së fundi kanë arritur një marrëveshje.
Guterres, në raportin, të cilin në seancë do ta prezantojë shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, vlerëson se korniza e re e dialogut ka potencial për të çuar para procesin drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjata. Ai ka thënë se angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes do të jetë i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve.
“Palët janë zotuar plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Kjo është edhe më e rëndësishme sepse ngjarjet gjatë periudhës së vëzhguar sollën tensione në një nivel krize, duke rezultuar në ngecjen më serioze që nga fillimi i procesit të dialogut në vitin 2011”, ka shkruar Guterres.
Ai ka shtuar se “retorika e intensifikuar dhe nxitëse nga të gjitha anët, vendosja e postblloqeve, incidentet e shumta të sigurisë dhe protestat në veri të Kosovës e kanë rritur rrezikun për dhunë”, shkruan Rel.
“Incidentet e natyrës etnike, përdorimi i armëve të zjarrit dhe lëndimet, si në mesin e civilëve ashtu edhe në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, si dhe shënjestrimi i dukshëm i gazetarëve dhe aktorëve ndërkombëtarë të sigurisë, përbënin shqetësim të veçantë. Të gjitha palët duhet të tregohen të përmbajtura dhe të sigurojnë që të gjitha mosmarrëveshjet zgjidhen në mënyrë paqësore përmes dialogut, jo përshkallëzimit”, ka shkruar Guterres.
Që nga miratimi i Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.
Në vitin 2019 janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa nga viti 2020 mbahen nga dy seanca në vit.