Aktivistët dhe ligjvënësit në Mbretërinë e Bashkuar po kërkojnë hetim pasi një protestues pro-demokracisë nga Hong Kongu dyshohet se u rrah në ambientet e konsullatës kineze në Manchester.
Një grup pro-demokratik i quajtur Forca e Mbrojtjes Indigjene e Hong Kongut organizoi një protestë jashtë konsullatës në qytetin e Manchesterit të dielën, në kundërshtim me Kongresin e Partisë Komuniste Kineze që po mbahej të njëjtën ditë në Pekin.
Videoja e incidentit u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale. Konfrontimi ndodhi në trotuar jashtë konsullatës, kurse njerëzit tjerë nxitonin drejt hyrjes së portave. Më pas, videoja duket se tregon një protestues të Hong Kongut duke u tërhequr zvarrë përmes portës në ambientet e konsullatës dhe duke u rrahur nga një grup burrash.
Në video shfaqet edhe policia lokale që hyn në ambientet e konsullatës për ta ndalur dhunën.
Videoja e përleshjes është shpërndarë në internet nga ligjvënës të shumtë në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët kanë bërë thirrje për një hetim mbi përfshirjen e supozuar të stafit konsullor kinez./UBTNews/