UBT News

Një pjesë e raketës “Falcon 9” e SpaceX përplaset në Hënë

Një pjesë rreth katër tonëshe e raketës “Falcon 9” të kompanisë SpaceX mendohet se është përplasur paqëllimshëm në sipërfaqen e Hënës.

Objekti, i cili ka qenë në hapësirë që nga viti i kaluar, u përplas me shpejtësi të madhe, por sipas NASA-s nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën.

Bëhet fjalë për fazën e dytë të raketës “Falcon 9”, e cila u lansua në janar të vitit 2025 për një mision drejt Hënës. Ekspertët vlerësojnë se përplasja mund të ketë krijuar një krater rreth 18 metra të gjerë dhe katër metra të thellë.

NASA ka bërë të ditur se do të analizojë imazhet e sipërfaqes hënore para dhe pas goditjes, për të studiuar ndikimet e krijuara nga objektet artificiale në Hënë.

Zakonisht, pjesët e raketave pas përfundimit të misioneve kthehen në atmosferën e Tokës dhe digjen ose përfundojnë në oqeane. Megjithatë, në këtë rast, për shkak të energjisë më të madhe të nevojshme për misionin hënor, pjesa e raketës mbeti në hapësirë deri në përplasjen me Hënën./A.K/

Exit mobile version