Vazhdojnë edhe më tej statistikat e larta të rasteve të dhunës në familje. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë njoftuar katër raste të tilla.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur në Ferizaj.
Aty, është arrestuar një i dyshuar, pasi që, pas një mosmarrëveshje në familje, e ka sulmuar fizikisht nënën e tij, duke i shkaktuar lëndime të dukshme trupore. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti tjetër ka ndodhur në Prishtinë. Viktima, një i mitur, ka pësuar dhunë nga babai i tij dhe për këtë ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Ndërsa, në Fushë Kosovë, është raportuar se, pas një mosmarrëveshje në familje, viktima femër është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Viktima e rastit ka pranuar tretman mjekësor dhe me kërkesën e saj është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Rasti i katërt ka ndodhur në Lipjan. Aty, një i dyshuar ka sulmuar babanë e tij.
I dyshuari, është shoqëruar në stacionin policor dhe për shkak të gjendjes së tij mendore, në konsultim me prokurorin, është dërguar në QKUK për tretman mjekësor në repartin e psikiatrisë.
