Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), si dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Sipas Prokurorisë, rasti ka nisur më 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K. ishte paraqitur në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të rinovuar dokumentet e identifikimit. Gjatë verifikimeve, zyrtarët kanë konstatuar se identiteti i paraqitur i përkiste një personi të ndjerë prej vitesh, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të identitetit.
I dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij, ndërsa ka shfrytëzuar të drejtën për të mos u deklaruar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit.
Për verifikimin e identitetit të tij të vërtetë, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë iniciuar bashkëpunim ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë të dhënat dhe gjurmët e gishtërinjve.
Nga informacionet e siguruara përmes autoriteteve të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere, është konfirmuar se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, të lidhura kryesisht me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe udhëtuar në disa shtete evropiane.
Hetimet e mëtejshme, në bashkëpunim me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, kanë bërë të mundur identifikimin e identitetit të tij të vërtetë. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për shtetasin e Shqipërisë me inicialet E.K., i cili kërkohej ndërkombëtarisht me njoftim të kuq (Red Notice) nga Interpoli.
Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se E.K. është i dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e krimit dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për sjelljen para drejtësisë të personave që kërkohen nga ligji./A.K/
