UBT News

Një pajisje e vogël e Apple i zbulon një amerikani valixhen e vjedhur në Los Angeles

Që prej lansimit në vitin 2021, AirTag i Apple është dëshmuar si një nga pajisjet më të vlefshme për gjurmimin e sendeve personale. Por ndoshta asnjë rast nuk është më i çuditshëm se ai i Daniel Scott, një udhëtar që e ktheu humbjen e valixhes në një gjueti falë AirTag të fshehur.

Gjithçka nisi në një fluturim nga Salt Lake City, Utah, drejt Los Angeles, kur Scott vuri re se valixhja kishte zhdukur. Pasi kërkoi në disa vende pa sukses, vendosi të përdorte iPhone-in për të gjetur sinjalin e AirTag-ut.

“Menjëherë fillova të vrapoja drejt tij. Sapo arrita në vend, pashë se po vazhdonte të lëvizte dhe kishte arritur matanë rrugës”, tha Scott.

Sinjali e çoi përpara një ndërtese të braktisur, shkruajnë mediat e huaja. Megjithëse nuk arriti të lokalizonte katin e dhomën ku ndodheshin sendet, Find My i Apple dha informacion të mjaftueshëm për të udhëhequr policinë e LAX drejt një operacioni të suksesshëm.

Autoritetet jo vetëm që rikuperuan valixhen, por arrestuan edhe disa persona brenda ndërtesës.

“E pashë një djalë me rrobat e mia – këpucët, këmishën time, pantallonat e mia”, tregoi Scott, duke përshkruar momentin e pazakontë.

AirTag, që nga debutimi, ka treguar funksionalitetin kryesor si gjurmues sendesh, por ka ngritur edhe shqetësime për sigurinë dhe privatësinë. Në raste tjera është raportuar se kriminelët i kanë përdorur për të ndjekur viktimat duke i vendosur në çanta apo vetura.

Megjithatë, AirTag mbetet një pjesë integrale e teknologjisë së Apple. Dhe tani, ndërsa historia e Scott bën bujë, kompania pritet të prezantojë javën e ardhshme pasardhësin e saj, krahas debutimit të serisë së re iPhone 17.

Exit mobile version