UBT News

Një në pesë të rinj në qytetet kineze janë të papunë, Pekini ka një plan

Derisa shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve në Kinë po rritet, provinca më e pasur e vendit ofroi një zgjidhje të diskutueshme: Dërgoni 300 mijë të rinj të papunë në fshat për dy deri në tri vjet për të gjetur punë.

Guangdong, centrali prodhues që i afrohet Hong Kongut, njoftoi muajin e kaluar se do të ndihmojë të diplomuarit në kolegje dhe sipërmarrësit e rinj të gjejnë punë në fshatra. Gjithashtu inkurajoi të rinjtë që vijnë nga zonat rurale që të kthehen atje për të gjetur punë.

Njoftimi erdhi pas thirrjes së presidentit Xi Jinping gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, i cili ftoi të rinjtë nga qytetet që të kërkojnë punë në zonat rurale në përpjekje për të “rigjallëruar ekonominë rurale”, në jehonë të një fushate të mëparshme të nisur dekada më parë nga ish-udhëheqësi Mao Ce Dun, në të cilën dhjetëra miliona të rinj urbanë u internuan efektivisht në zona të largëta të Kinës.

Plani i Guangdong, i cili u pasqyrua gjerësisht në rrjete sociale, përkoi me shkallën e papunësisë urbane midis 16-24-vjeçarëve që u rrit në 19.6%, niveli i dytë më i lartë në rekord.

Kjo përkthehet në rreth 11 milionë të rinj të papunë në qytetet dhe qytezat e Kinës, sipas llogaritjeve të CNN-it bazuar në të dhënat e fundit të disponueshme nga Byroja Kombëtare e Statistikave.

Shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve mund të rritet edhe më tej, meqë 11.6 milionë studentë të kolegjeve pritet të diplomojnë këtë vit dhe do të kërkojnë punë në treg.

“Nëse mund të nxjerrim një mësim nga protestat e mëparshme lidhur me COVID-19, një numër i madh i të rinjve të zemëruar dhe të arsimuar në qytetet e Kinës mund të paraqesin probleme të mëdha për Partinë Komuniste e cila është në pushtet”, tha Alex Capri, studiues në Fondacionin Hinrich, duke iu referuar protestave të nëntorit të vitit 2022.

“Shpërndarja e tyre në fshatra më të vogla në krahinën e vendit mund të zbusë këtë rrezik dhe ndoshta, të ndihmojë në zvogëlimin e pabarazive të të ardhurave midis qyteteve të nivelit 1 dhe nivelit 2 të Kinës dhe zonave më të varfra të vendit”, deklaroi ai tutje.

Rritja e papunësisë te të rinjtë vjen si rezultat i ngadalësimit ekonomik të Kinës.

Politika drakoniane e qeverisë për Covid-in, tashmë e pafuqishme, preku shumë shpenzimet e konsumatorëve dhe goditi rëndë bizneset e vogla në tri vjetët e fundit. Goditja ndaj internetit, kompanive të pasurive të paluajtshme dhe arsimit, dëmton edhe sektorin privat, i cili siguron mbi 80% të vendeve të punës në Kinë.

Të rinjtë e Kinës janë më të arsimuarit në dekada, me një numër rekord të të diplomuarve nga kolegjet dhe shkollat profesionale. Por ata gjithashtu përballen me një mospërputhje në rritje midis pritjeve dhe mundësive të tyre pasi ekonomia po ngadalësohet ndjeshëm.

Të frustruar nga pasiguritë në rritje dhe mungesa e lëvizshmërisë sociale, të rinjtë po humbasin gjithnjë e më shumë shpresën se një diplomë kolegji mund të sjellë të njëjtat përfitime si dikur./UBTNews/

Exit mobile version