UBT News

Një muaj që nga arrestimi i Mahsa Aminit, shkon në mbi 100 numri i viktimave

Më 13 shtator, Mahsa Amini u arrestua nga policia morale e Iranit në Teheran nën dyshimet se ka shkelur kodin e ashpër të veshjes për gratë në Republikën Islamike. Disa ditë më vonë, 22-vjeçarja iraniane vdiq në paraburgim, duke ngjallur protesta masive në të cilat mbetën të vdekur më shumë se 100 persona, sipas një grupi të të drejtave të njeriut. Pakënaqësia është rritur, duke paraqitur një sfidë serioze për Republikën Islamike.

Rrethanat e vdekjes së Aminit në paraburgim ende nuk dihen, meqë familja dhe autoritetet iraniane kanë versione të ndryshme nga njëra-tjetra. Ajo vdiq më 16 shtator, tri ditë pas arrestimit të saj nga policia famëkeqe e moralit të Iranit për siç thonë autoritetet, shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike për gratë.

Sipas një hetimi ligjor, arsyeja e vdekjes së Aminit ishte një sëmundje nga e cila vuante ajo e jo si pasojë e goditjeve nga policia siç pretendon familja e saj. Kjo e fundit ka mohuar versionin zyrtar, duke thënë se vajza e tyre nuk vuante nga probleme shëndetësore.

Vdekja e Aminit shkaktoi protesta masive të drejtuara nga gratë që dolën në rrugë duke brohoritur, “Zan, zendegi, azadi!” – gratë, jeta, liria. Gratë e reja, studentet e universitetit dhe madje edhe vajzat e shkollës kanë hequr hixhabet e tyre dhe janë përballur me forcat e sigurisë në valën më të madhe të trazirave sociale që ka kapluar Iranin në pothuajse tri vjet.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, të paktën 108 persona, përfshirë 28 fëmijë, janë vrarë dhe qindra të tjerë janë ndaluar dhe mbajtur kryesisht në burgje për të rritur./UBTNews/

Exit mobile version