Sot bëhen një muaj prej presidenti i Rusisë, Vladimir Putini dha urdhër që të pushtohet Ukraina. Prej 24 shkurtit Ukraina po përballet me agresionin rus.
E sot në Bruksel do të mbahet samiti i jashtëzakonshëm i NATO-s ku do të marrë pjesë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden.
Aty do të diskutohen përpjekjet e vazhdueshme për parandalimin dhe mbrojtjen në përgjigje të sulmit të pajustifikuar.
Në një konferencë shtypi përpara këtij Samiti të jashtëzakonshëm të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg parashikoi vendimet që ai pret që liderët të marrin sot. Këto vendime përfshijnë shpalljen e katër grupeve të reja beteje të NATO-s në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki, forcimin e qëndrimit të NATO-s në të gjitha fushat (tokë, det, ajër, hapësirë dhe hapësirë kibernetike), ofrimin e mbështetjes shtesë për Ukrainën dhe rritjen e mbështetjes për partnerët e tjerë. në rrezik nga presioni rus.
Pak orë para se të fillojë samiti i NATO-s, presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky u bëri thirrje gjithë qytetarëve në botë që të dalin e të mbështesin Ukrainën. Ai tha se lufta e Rusisë nuk ishte vetëm kundër Ukrainës, por e lirisë së njerëzve kudo në botë.
“Ejani nga zyrat tuaja, shtëpitë tuaja, shkollat dhe universitetet tuaja, ejani në emër të paqes, ejani me simbolet ukrainase për të mbështetur Ukrainën, për të mbështetur lirinë, për të mbështetur jetën”, ishte thirrja e presidentit.
Fjalimi i Zelensky erdhi disa orë përpara një samiti të NATO-s në Bruksel, ku vendet perëndimore pritet të bien dakord për dërgimin e përforcimeve në Evropën Qendrore dhe Lindore për të forcuar mbrojtjen e bllokut.
Me të filluar invazioni rus ndaj Ukrainës, shtetet e shumta i vunë sanksione Rusisë. Sanksione ndaj Rusisë vendosi edhe Kosova.