Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar 30 ditë paraburgim R.B i cili dyshohet për “posedim të substancave narkotike”.
Mëngjesin e së dielës R.B bashkë me një person tjetër janë ndaluar nga policia në fshatin Llabjan, e që dyshohet se po transportonin marihuanë. Mirëpo të dy kishin ikur, por policia kishte arritur ta arrestonte R,B por jo edhe personin i cili ishte bashkë me të. Ai vazhdon të jetë ende në arrati.
“Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit R. B. Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 16.01.2022, rreth orës 08:00 minuta, në fshatin Llabjan të Komunës së Novobërdës, i pandehuri së bashku me të dyshuarin N. N., pa autorizim kanë transportuar substancë narkotike të llojit marihuanë. Të njëjtit nuk i binden urdhrave të patrullës policore dhe ikin me shpejtësi, ashtu që gjatë ndjekjes së veturës nga ana e zyrtarëve policor, arrijnë të ndalojnë veturën dhe të arrestojnë të pandehurin R. B., ndërsa i dyshuari N. N. arrit të largohet nga vendi, por gjatë ndjekjes i njëjti e hedh çantën me substancë narkotike, duke ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Gjilan.
Me këtë rast janë gjetur dhe konfiskuar 5 kg e 185 gram marihuanë dhe një shumë të hollave 925 Euro.
Në komunikatë thuhet edhe se “Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa i dyshuari N. N. vazhdon të jetë në arrati. Andaj, sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, pasi që po të gjendet në liri mund të i ikë ndjekjes penale”.