Gjykata Themelore i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit B.SH. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.
Sipas një njoftimi të gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 21 shkurt 2021, në fshatin Bibaj – komuna Ferizaj, me dashje i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor tani të ndjerit A.L., në atë mënyrë që pas një fjalosje, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, ku si pasojë e kësaj goditje rrëzohet në tokë-beton dhe pëson lëndime trupore, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara i njëjti ndërron jetë.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj. Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, duke marr parasysh rrethanat e rastit, ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi po të gjendet në liri i pandehuri, mund të arratiset ose të ike, duke marr parasysh se njëjti që nga data 21.02.2021 është arratisur, gjegjësisht ka shkuar në shtetin e Zvicrës edhe për kundër faktit se ai është paraqitur vullnetarisht në organet e ndjekjes, i njëjti ka të rregulluar statusin e leje qëndrimit ne Zvicër dhe mund të ikë ose të arratiset”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.