Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit E.H., i cili dyshohet për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë – Divizioni Penal për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.H., ashtu që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Rasti lidhet me dyshimet se E.H. ka privuar aksidentalisht nga jeta babanë e tij, Sh.H., në fshatin Strellc të Deçanit.
Gjykata ka bërë të ditur se masa e paraburgimit është caktuar në bazë të dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Pejë./A.K/
