UBT News

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për grabitje me armë

Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit B.A, për grabitje, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas njoftimit të Themelores, i pandehuri B.A, me datë 26.07.2018, rreth orës 23:20, në një lokal në Pejë, i armatosur hyn në një lokal dhe nën kërcënimin e armës duke shtënë njëherë në drejtim të dyshemesë, iu drejtohet punëtorëve të lokalit, me fjalët “qiti lekët”, ashtu që dëshmitari, nxjerr nga xhepi paratë dhe ia jep të pandehurit, i cili më pas i qetë largohet nga lokali dhe i maskuar e i armatosur hyn në një market në Pejë duke iu drejtuar punëtorëve të marketit me fjalët “mos livrit, qitni lekët”, të cilët ja japin të hollat, e në ndërkohë vëren një konsumator nga i cili kërkon para dhe kur i njëjti deklaron se nuk ka para, i pandehuri shkrep njëherë me revole në drejtim të dyshemesë e më pas largohet nga marketi, por që ndiqet nga policia të cilët ishin lajmëruar nga qytetarët dhe rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes së bashku edhe me gjësende tjera, është gjetur edhe arma e përdorur nga i pandehuri.

“Të pandehurit B.A i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që, gjykata vlerësoi se ekziston baza e dyshimit se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do të dëgjohen dëshmitarët, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në dëshmitarë në ndërrimin e deklaratave të dhëna më parë në polici, e me këtë do të ndikojë në zhvillimin e drejtë të procedurës hetimore e në drejtim të shmangies, zbutjes apo përjashtimit të përgjegjësisë penale për veprat për të cilat pandehet”, thuhet mes tjerash në njoftim./UBTNews

Exit mobile version