UBT News

Një muaj paraburgim për Ilir Avdullahun, i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës

Të dyshuarit për vrasjen e Triumf Rizës, Ilir Avdullahut i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur sot se Avdullahut i është caktuar masa e paraburgimit për veprën penale “Vrasje e Rëndë”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Speciale të Republikës së Kosvës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A dhe të njëjtit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit I.A dhe ka vlerësuar se përmbushet kriteri nga neni 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.1. të KPRK-së, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti dyshohet për vepër të rëndë penale për të cilën sipas ligjit parashihet dënim i lart burgimi, duke shtuar faktin se i pandehuri nga viti 2008 ka qenë në arrati, andaj bazuar në të kaluarën e të pandehurit dhe sjelljen e tij ne raport me organet ligj zbatuese, gjykata konsideron se nëse i njëjti gjendet në liri, ekziston rreziku që të arratiset dhe të bëhet i pakapshëm për organet e drejtësisë, andaj konstatoi së masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale, në këtë fazë të procedurës penale”, është bërë e ditur nga gjykata.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ilir Avdullahu, i njohur me nofkën “Liza” është arrestuar të dielën (16 maj). Avdullahu është kërkuar për vite me radhë si pjesë e grupit që ka qenë i përfshirë në vrasjen e policit të Kosovës, Triumf Riza.

Exit mobile version